Revista prestigjioze amerikane Foreign Policy ka publikuar një analizë mbi situatën aktuale në Serbi, duke e cilësuar vendin si të zhytur në krizën më të rëndë që nga përmbysja e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000.
Në këtë analizë, autori dhe analisti politik Jasmin Mujanoviq e ka portretizuar presidentin serb si një autokrat që ndjek gjurmët e paraardhësit të tij, Millosheviqit, dhe si kërcënim të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit.
Sipas Foreign Policy, Vuçiq ka ndjekur një rrugë të ngjashme me Millosheviqin, duke goditur mediat e pavarura, duke manipuluar zgjedhjet dhe duke forcuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën.
“Vuçiq është një aktor dashakeq në politikën e Ballkanit Perëndimor”, shkruan Mujanoviq, duke shtuar se presidenti serb mban gjallë një axhendë etnonacionaliste për destabilizimin e Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Analiza thekson se Vuçiq ka vazhduar përpjekjet për “bashkimin e serbëve” në rajon, përfshirë përmes ndërhyrjeve në Kosovë dhe përkrahjes për liderin separatist të Republikës Srpska, Milorad Dodik.
“Sulmi i armatosur në Banjskë më 2023 tregoi përkushtimin e tij ndaj axhendës së ‘Serbisë së Madhe’”, thekson artikulli.
Mujanoviq vlerëson se largimi i Vuçiqit është parakusht për një transformim të vërtetë demokratik në Serbi dhe në rajon.
“Serbia nuk mund të ecë përpara pa refuzuar madhështinë imperiale dhe pa një proces të thellë pajtimi historik. Demokracia e vërtetë kërkon njohjen e së kaluarës – përfshirë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe krimeve të luftës në Bosnjë”, thuhet në analizë.
Ai paralajmëron se pa këtë katarzë, çdo përpjekje për ndryshim do të jetë sipërfaqësore dhe se, edhe nëse Vuçiq bie, rreziku që nacionalistët e tjerë të marrin pushtetin mbetet real.
Në përfundim, Mujanoviq nënvizon se megjithëse e vështirë, një Serbi ndryshe është e mundur – një Serbi demokratike, paqësore dhe e integruar në Europë.
“Çdo përpjekje për zgjerim territorial është kthyer kundër vetë popullit serb. Është koha për të ndalur ciklin e dhunës dhe për të ndërtuar një të ardhme ndryshe,” përfundon analiza.
Prej më shumë se 10 muajsh, Serbia është përfshirë nga protesta të mëdha kundër qeverisë, të cilat u ndezën pas tragjedisë së rrëzimit të strukturës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Protestat janë shndërruar në një valë të gjerë pakënaqësie kundër regjimit të Vuçiqit, me mijëra qytetarë – kryesisht të rinj – që kërkojnë përgjegjësi dhe demokraci.
Pamjet tronditëse të ekstremistëve pro-qeveritarë duke dhunuar protestues studentë kanë shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe po ushtrojnë presion mbi BE-në dhe SHBA-në që të rishikojnë marrëdhëniet me Beogradin.
Të tjera
Izraeli nis ofensivën tokësore në Gaza
Haliti i LVV-së premton ndërtimin e një fabrike për përpunimin e ujit në Ferizaj
Autokracia e Vuçiqit pasqyron hijet e Millosheviqit, Banjska ishte paralajmërimi