Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk ka bërë thirrje për një angazhim më të fortë ndërkombëtar për të frenuar ambiciet për pushtet të disa politikanëve dhe sipërmarrësve të teknologjisë.
“Kur bashkohemi, kemi më shumë fuqi se çdo autokrat apo miliarder i teknologjisë”, tha ai në hapje të takimit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut te OKB-së sot në Gjenevë.
Thirrjes së tij, iu bashkuan sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, si dhe presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Annalena Baerbock, të cilët folën për zhvillimet negative në shkallë globale.
Türk kritikoi ashpër politikanët që, sipas tij, nuk respektojnë ligjet dhe rregullat themelore ndërkombëtare, duke ndjekur qëllimet e tyre me çdo kusht – qoftë përmes dezinformimit, apo duke përdorur fuqinë ekonomike si armë presioni.
“Një rreth i ngushtë manjatësh të teknologjisë kontrollon një pjesë disproporcionale të flukseve globale të informacionit, duke shtrembëruar debatin publik, tregjet dhe madje edhe sistemet e qeverisjes”, theksoi diplomati austriak, pa përmendur emra konkretë.
Nga ana e tij, Guterres deklaroi se të drejtat e njeriut ishin nën sulm masiv në mbarë botën.
“Kjo po ndodh haptazi – dhe shpesh udhëhiqet nga ata që kanë pushtetin më të madh”, tha ai.
Në fjalimet e tyre, Guterres dhe Türk veçuan vuajtjet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në disa vende si, Sudani, Rripi i Gazës, Ukraina dhe Mianmari.
Baerbock, ish-ministre e Jashtme e Gjermanisë, u kujtoi anëtarëve të Këshillit përgjegjësinë e tyre.
“Nuk jemi spektatorë që kemi luksin të qëndrojmë mënjanë ndërsa padrejtësia shpaloset para syve tanë”, tha ajo.
Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut do të vijojë punimet deri në fund të marsit.
Dyzet e shtatë vendet anëtare kanë për detyrë të sigurojnë respektimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën. Gjermania aktualisht nuk është anëtare.
Megjithatë, këshilli mund të dënojë shkelësit përmes rezolutave, por nuk ka kompetenca për të vendosur sanksione.
Për më tepër, në përbërjen e tij përfshihen shpesh vende që e konsiderojnë kritikën ndaj situatave të brendshme si ndërhyrje në punët e tyre të brendshme.
Këtë vit, mes tyre janë edhe Kina, Kuba dhe Etiopia.



Të tjera
Futbollisti sllovak thotë se Kosova do të jetë agresive
Shkaku i të shtënave me armë afër stadiumit, ndeshja në Meksikë ndërprehet
Kryeministri konfirmon vizitën te Baca Rifat në Prekaz