Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Naim Qelaj, ka zhvilluar një takim me Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ku ka ngritur një sërë shqetësimesh të rëndësishme lidhur me funksionimin dhe standardet e kësaj gjykate.
Sipas një komunikate të këtij institucioni, në fokus të diskutimit ishin garantimi i një gjykimi të drejtë dhe i paanshëm sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, barazia e palëve në procedurë, si dhe mënyra e sigurimit dhe përdorimit të provave, sidomos ato të siguruara nga Republika e Serbisë.
Qelaj thuhet se vuri në pah dyshimet mbi besueshmërinë e këtyre provave, duke theksuar se qëndrimi i shtetit serb ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të ndikojë në kredibilitetin dhe objektivitetin e materialeve të paraqitura në gjykatë.
Një tjetër çështje e ngritur sipas komunikates, ishte struktura e centralizuar e Dhomave të Specializuara, e cila sipas tij mund të cenojë pavarësinë e shkallëve të ndryshme gjyqësore dhe të drejtat për mjete efektive juridike. Ai theksoi se vendosja e Dhomës Kushtetuese brenda kësaj strukture sfidon ndarjen e pushteteve dhe vlerësoi se kjo nuk përputhet me frymën e standardeve ndërkombëtare.
Ndër shqetësimet tjera të përmendura ishte edhe praktika e përgjimit të bisedave dhe vizitave në paraburgim, që sipas tij cenon privatësinë dhe mund të ndikojë në efektivitetin e mbrojtjes ligjore.
Qelaj kritikoi gjithashtu kohëzgjatjen e gjatë të paraburgimit dhe mungesën e alternativave të tjera, duke vënë në dyshim besimin e Gjykatës ndaj institucioneve të Kosovës për zbatimin e masave alternative.
Në takim u theksua edhe çështja e kompensimit të viktimave, duke vënë në dukje trajtimin e pabarabartë në raport me rastet që gjykohen në Kosovë, çka sipas Avokatit të Popullit cenon parimin e barazisë përpara ligjit.
Në përmbyllje, Qelaj theksoi nevojën për më shumë transparencë dhe informim të publikut në lidhje me punën e Dhomave të Specializuara dhe shqetësimet që prekin të drejtat themelore të njeriut. Ai u zotua se Institucioni i Avokatit të Popullit do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të ngris zërin sa herë që cenohen të drejtat e qytetarëve.



Të tjera
Gjashtë ushqime që ju ndihmojnë të flini më mirë
“Nëse jetoni në të kaluarën, do të vdisni në të kaluarën”, këshillat që ju duhen për sukses
Të flini pranë dikujt që gërhet mund t’ju shkakton probleme serioze shëndetësore