Avokati komenton sulmin fizik të qytetarit nga Zemaj: Ky akt është i dënueshëm ligjërisht

Avokati i qytetarit të sulmuar, Liridon Kutllovci, ka fajësuar deputetin e LDK-së Armend Zemaj për incidentin e sotëm në Prishtinë, duke thënë se ky akt përbën sjellje të papranueshme dhe të dënueshme ligjërisht, dhe ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore në mënyrë që ky rast të mos mbetet pa përgjegjësi dhe dinjiteti i qytetarit të mbrohet.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, avokati Kutllovci ka sqaruar se si ka ndodhur incidenti.

“Gjatë ditës së sotme, Zemaj ka qenë duke dhënë një intervistë publike, ndërsa klienti im, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka kaluar pranë dhe i është drejtuar deputetit me fjalët: “Të gjithë jeni njësoj, vetëm gënjeni” dhe kjo ka ardhur si pasojë e frustrimit qytetarë në lidhje me gjendjen politike e ekonomike të vendit.”

Kutllovci thotë se në vend që deputeti Zemaj të ruante qetësinë dhe etikën që i takon një përfaqësuesi të Kuvendit, ai i është drejtuar qytetarit me fjalë fyese “Gënjen nëna dhe gruaja juaj”.

Ai ka theksuar se qytetari i sulmuar ka reaguar në mënyrën më të moderuar të mundshme, pa ushtruar asnjë formë dhune dhe ka thirrur policinë, duke demonstruar vetëpërmbajtje dhe respekt për rendin ligjor.

“Ky akt përbën sjellje të papranueshme dhe të dënueshme ligjërisht, veçanërisht kur vjen nga një deputet i Kuvendit të Kosovës që ka për detyrë të japë shembull qytetarie dhe respekti ndaj ligjit. Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që ky rast të mos mbetet pa përgjegjësi dhe që dinjiteti i qytetarit të mbrohet plotësisht”, ka thënë Kutllovci.

Lajmin për konfliktin fizik fillimisht e bërë të ditur gazetari Astrit Gashi. Ndërkohë, ka reaguar deputeti Zemaj dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.