Bahamas njeh Kosovën

Bahamas njeh Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Komonuelthi i Bahamas e ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë kështu shteti i 121-të që e njeh pavarësinë e vendit, rapoton KosovaPost.

Osmani e ka cilësuar këtë si një vendim historik për Kosovën, ndërsa ka bërë të ditur se marrëveshja për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar në kryeqytetin e Bahamas, së bashku me kryeministrin e këtij shteti, Philip Davis.

“Njehja nga Bahamas dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike përbëjnë një hap të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se dy shtetet kanë rënë dakord të vendosin marrëdhënie diplomatike në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961. Po ashtu, Bahamas dhe Kosova riafirmojnë përkushtimin ndaj Kartës së Kombeve të Bashkuara, respektimit të sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve.

Dy vendet shprehin synimin për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve.

Në fund, në deklaratë theksohet se Bahamas dhe Kosova mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili do t’u shërbejë interesave të të dy popujve dhe do të kontribuojë në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.