Deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka reaguar ndaj kritikave lidhur me votimin e pakos për zgjedhjen e pesë nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se qëndrimi i tij është keqinterpretuar në mënyrë të qëllimshme.
Në një reagim publik, Bahtiri ka theksuar se nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Lista Serbe dhe se mbetet kundër votimit të përfaqësuesve të saj.
“Për ata që po shesin moral politik: Mos bëni filma!
Mos u mundoni të na fusni në një thes me juve. Ne nuk i kemi në qeveri miqtë tuaj të vjetër, Listën Serbe, pa të cilët nuk keni mundur asnjëherë të formoni Qeverinë dhe Institucionet, e as nuk bëjmë marrëveshje në pikë të natës, me meze e raki në tavolinë sikur ju me ata”, ka shkruar Bahtiri.
Ai ka rikujtuar deklaratën e 10 tetorit 2025, kur kishte bërë të ditur se nuk do të mbështesë kandidatët e këtij subjekti, duke argumentuar se ka përfaqësues serbë jashtë asaj strukture që mund të përfaqësojnë komunitetin serb në institucione.
“Duke e parë se po zhvillohet një fushatë e qëllimshme kundër meje, duke tentuar të shtrembërohet e vërteta rreth votimit të pakos për zgjedhjen e 5 nënkryetarëve të Kuvendit, po flas qartë, pa ekuivoke, sepse e kemi obligim moral qe t’iu sqarohemi qytetarëve që na kanë besuar voten.Qëndrimi im ndaj Listës Serbe ka qenë dhe mbetet i pandryshueshëm. Me 10.10.2025 kam deklaruar publikisht se nuk votoj përfaqësues të Listës Serbe, sepse besoj se Kosova ka përfaqësues serbë jashtë asaj strukture që mund ta ushtroj atë funksion me dinjitet institucional”, ka shkruar ai.
Bahtiri ka përmendur edhe vendimin e 4 shkurtit të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, të cilin e ka cilësuar si imponues, pasi sipas tij, pa përfaqësuesin e Listës Serbe nuk do të mund të konstituohej Kuvendi.
Megjithatë, ai ka theksuar se si deputet nuk mund të shkelë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht kundërshtimeve të tij publike./IndeksOnline/



Të tjera
Kusari Lila pranon detyrën e ministres
Bllokadat politike ndikuan në ekonomi
BE-ja shqyrton pezullimin e fondeve prej 1.6 miliard eurosh për Serbinë