Bajrami: Nëse po flitet për denigrim të Haxhiut, besoj se këtë është duke e bërë vet Kurti

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se mos votimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës nuk ka të bëjë me arsye patriarkale, siç ka deklaruar sot kryeministri në detyrë Albin Kurti, për partitë e tjera të legjislaturës së nëntë.

Bajrami ka deklaruar se partitë tjera nuk e kanë obligim votimin e propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, sipas saj, ky subjekt politik duhet t’i sigurojë votat, ose të bëjë ndonjë marrëveshje politike.

“E para nëse po flitet për luftim dhe denigrim të zonjës Haxhiu, unë besoj se këtë vet Kurti është duke e bërë. Besoni ose jo, në politikë jam nga viti 2010 dhe asnjëherë për asnjë çmim nuk kisha pranu që emri im dhe unë personalisht të jem arsyeja dhe subjekti i një bllokade i tentativës së 24-të dhe të dështuar, kurrë asnjëherë në asnjë çmim”, tha Bajrami, për Klan Kosova.