Balje ankohet se mori qindra mesazhe fyese e kërcënuese pasi e kritikoi Kurtin: Kërcënimet vetëm më pastrojnë mëkatet

Deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, është ankuar se pasi shkoi dje një status kudër Albin Kurtit, mori qindra mesazhe fyese, linçuese dhe kërcënuese.

Ajo ka bërë me dije se nuk ju frikësohet mesazheve të tilla.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se nuk i nënshtrohet asnjë gënjeshtre, linçimi, kërcënime apo shantazhi.

“Përshëndetje për të gjithë ju që nga dje keni shkruar komente në postimin tim të fundit — gati 400 prej jush. Dua t’ju them këtë: nëse keni ndonjë provë, qoftë edhe më të voglën, që unë ose ndonjë anëtar i familjes sime kemi bërë diçka të keqe ndaj shtetit apo ndonjë individi, raportojeni aty ku duhet. Nëse nuk keni — dhe të gjithë e dimë që nuk keni, e me çdo koment tuajin vetëm përhapni gënjeshtra — mos e humbni më kohën. Prej tetë muajsh po përpiqeni në mënyrë të organizuar të bëni të njëjtën gjë, dhe tashmë është bërë monotone, pa asnjë rezultat konkret. Asnjë koment i juaji nuk mund të ndryshojë asgjë në jetën time. Të gjitha ato gënjeshtra, linçime mediatike, fyerje, kërcënime dhe shantazhe vetëm më pastrojnë mëkatet”, ka shkruar Balje.