Balotazhi do të zhvillohet në 18 komuna dhe do të mbahet më 9 nëntor. Në 21 komuna kryetarët janë zgjedhur qysh në rundin e parë, më 12 tetor.
Të gjitha partitë të cilat janë në garë kanë bashkëpunuar mes vete, duke lidhur koalicione.
Kur në Vushtrri u arrit koalicioni mes Xhaferi Tahirit (LDK) dhe Sylejman Mehollit (VV), u bë bujë e madhe, madje pati reagime nga vet LDK për “ndëshkime” për faktin se marrëveshja ishte bërë pa miratimin e kryesisë.
Koalicionet mes LDK-së dhe PDK-së për rundin e dytë të zgjedhjeve janë:
Gjilan: PDK mbështet kandidatin e LDK-së, Arbër Ismaili.
Fushë-Kosovë: PDK mbështet kandidatin e LDK-së, Besnik Osmani.
Prizren: LDK mbështet kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj.
Dugolli: Tash në balotazh, LDK dhe PDK po bashkëpunojnë dhe lidhin koalicione jo parimore
Enver Dugolli, ish-deputet i Vetëvendosjes, thekson se partitë politike nuk duhet të veprojnë me dy standarde dhe se koalicionet duhet të bazohen në parime dhe në interes të qytetarëve.
Ai shprehet se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, të gjithë kandidatët, përveç kryetarëve aktualë, kanë synuar ndryshim dhe jo vazhdim të pushtetit ekzistues.
Kurse, për koalicionet për balotazh, Dugolli kritikon koalicionet LDK-PDK në balotazh, duke i cilësuar jo parimore dhe të motivuara për të penguar progresin dhe Vetëvendosjen.
Ai vë në dukje dy standarde në qëndrimet e liderëve të LDK-së ndaj bashkëpunimeve.
Aliçkaj: Koalicionet joparimore në dëm të komunave dhe shtetit
Veprimtari Agim Aliçkaj, kritikon ish-partitë PDK, LDK dhe AAK/NISMA, duke thënë se nuk u përmirësuan pas humbjes së zgjedhjeve, përkundrazi veprimtaria e tyre mbështetet në manipulime, servilizëm ndaj ndërkombëtarëve dhe nënshtrim ndaj Serbisë, duke penguar proceset demokratike dhe duke mos merituar të qeverisin.
“Pothuajse pesë vjet më parë, kur PDK, LDK dhe AAK/NISMA, me keqqeverisjen e tyre e sollën Kosovën buzë greminës dhe i humbën zgjedhjet, mesazhi nga shumë votues të pavarur ishte që ata duhet të ndryshojnë dhe me punë të bëhen më të mirë se Kryeministri Albin Kurti – në mënyrë që ndoshta një ditë të mund të shpresojnë të kthehen në pushtet.
Fatkeqësisht dhe tragjikisht, ata nuk e konsiderojnë organizatën armiqësore “Lista Serbe” dhe Serbinë fashiste të Vuçiqit si armiq. Për ta, armiqtë janë ata që janë zgjedhur nga populli – Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani me bashkëpunëtorët e tyre. Ata kanë rënë aq poshtë sa janë gati ta rikthejnë Serbinë në Kosovë, vetëm për t’i larguar këta nga pushteti.
Tutje, ai kritikon koalicionet joparimore të LDK-së dhe partive të tjera, duke thënë se dëmtojnë komunat dhe shtetin, dhe thekson se zgjedhjet kanë zbuluar dy blloqe: LVV me partnerët kundër PDK, LDK, AAK, NISMA dhe Listës Serbe.
Ai shpreson se “Grupi për Kosovën” do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme dhe balotazhe.
“Zgjedhjet lokale do të duhej të kishin natyrë tjetër, ku koalicionet do të formoheshin për interesa lokale, në varësi të aftësive të kandidatëve. Tani ato varen nga urdhrat e kryetarëve të partive dhe grupeve përreth tyre, njësoj si në kohën e komunizmit.
Por nuk thuhet kot që nga çdo e keqe mund të dalë diçka e mirë. Tani në Kosovë janë formuar dy blloqe politike: LVV, Guxo, Alternativa me pakicat për Kosovën; dhe PDK, LDK, AAK, NISMA me Listën Serbe kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Populli tash i sheh më qartë dhe e di më mirë kujt ia jep votën.
Jam i bindur fuqishëm se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, “Grupi për Kosovën” do ta fitojë shumicën – por shpresoj që kjo të ndodhë edhe në balotazhet e 9 nëntorit. “Grupi kundër Kosovës” e meriton një dënim të ashpër, për ta mësuar njëherë e mirë se si duhet të punohet për popullin dhe për shtetin” – përmbyll ai për gazetën.



Të tjera
Shkencëtarët paralajmërojnë kundër krijimit të majmunit me tru njeriu
Majdanozi, vlerat e rralla për veshka të shëndetshme
Karota parandalon kancerin