Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina edhe në zgjedhjet e 12 tetorit sikur zgjedhjet e vitit 2021 nuk ka arritur të zgjedh kryetarin në raundin e parë. Prishtina, ashtu sikur edhe shtatëmbëdhjet komuna tjera të Kosovës ka shkuar në balotazh. Tashmë ka mbetur më pak se një javë kohë për mbajtjen e balotazhit të së dielës, 9 nëntor dhe parashikohet garë e fortë mes dy kandidatëve.
Hajrullah Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, janë kandidatë që prishtinasit do të mund t’i votojnë si kryetar të ardhshëm.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zgjedhjet e 12 tetorit, Rama ka marrë rreth 33.76% të votave (ose ~34 479 vota) ndërsa Çeku ~33.02% (ose ~33 727 vota) — një diferencë shumë e vogël.
Ky rezultat tregon se balotazhi do të jetë i hapur dhe me rivalitet të lartë.
“Prishtina vendos përmes detajeve”
“Gara për Prishtinën pritet të jetë ndër më të ngushtat e këtij balotazhi. Diferenca e vogël që doli nga raundi i parë ë e bën të qartë se çdo votë do të ketë peshë vendimtare. Nga njëra anë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje hyn në balotazh me një bazë të qëndrueshme elektorale, ndërsa nga ana tjetër, kandidati i LDK-së ka arritur të konsolidojë mbështetje shtesë përmes aleancave të nënkuptuara apo të hapura me PDK-në dhe AAK-në. Kjo mbështetje pritet të ketë ndikim, veçanërisht në mobilizimin e elektoratit që tradicionalisht nuk ka votuar për LDK-në, por që këtë herë mund të shohë në të një mundësi për ta ndalur VV-në në kryeqytet”, deklaron Mehmeti.

Sipas tij, mbetet te votuesit nëse veprojnë sipas partisë apo bindjes individuale.
“Megjithatë, mbetet të shihet nëse votuesit e këtyre partive do t’i binden strukturave apo do të veprojnë sipas bindjes individuale. Në këtë fazë, rezultati mbetet i hapur, me një avantazh të lehtë psikologjik për kandidatin që arrin të aktivizojë më mirë elektoratin e pavendosur dhe të rinjtë në ditët e fundit të fushatës. Prishtina, si gjithmonë, do të vendosë përmes detajeve”, shton analisti.
Bekë Berisha, kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, gjersa pak javë më parë kritikonte Përparim Ramën, tani shpreh mbështetje për të.
“Kryetar, smart city, I like that”, ka deklaruar Berisha duke u parë në një fotografi së bashku me Përparim Ramën.
Albion Thaçi, nipi i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka njoftuar të martën se ai dhe familja e tij mbështesin kandidaturën e Përparim Ramës për Kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e balotazhit që do të mbahen të dielën më 9 nëntor.
“Përparim Rama ka dëshmuar përkushtim, ndjeshmëri dhe respekt për historinë dhe sakrificën e vendit tonë”, shkruan Thaçi, duke shtuar falënderimet për votuesit që e kanë mbështetur në garën e tij të parë për Asamble, si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, LVV ka treguar aftësi organizative dhe një elektorat të motivuar.
“Ndërsa kanë mbetur edhe më pak se një javë nga zhvillimi i balotazhit për Komunën e Prishtinës, gara po hyn në një fazë vendimtare dhe mjaft të ngushtë. Sipas të gjitha gjasave dhe atmosferës në terren, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje mbetet favorit për të fituar, falë një përkrahjeje të qëndrueshme që po e ruan në çdo lagje të kryeqytetit. Në bazë të rezultatit të raundit të parë, ku diferenca ndërmjet dy kandidatëve ishte minimale, pritet që balotazhi të përcaktohet nga dalja në votim dhe mobilizimi i elektoratit të papërcaktuar. LVV ka treguar aftësi organizative dhe një elektorat të motivuar që shpesh rrit pjesëmarrjen pikërisht në raundin e dytë — gjë që mund të jetë vendimtare për fitoren në Prishtinë”, deklaron Halilaj.
Mbështetja që merr Rama nga PDK dhe AAK, sipas tij është perceptim i përkohshëm.

Ai shton se përpjekja për t’u bashkuar kundër kandidatit të LVV-së mund të ketë efekt të kundërt.
“Sa i përket mbështetjes që LDK-ja po e merr nga PDK dhe AAK, kjo mund të krijojë një perceptim të përkohshëm të bashkimit të partive tradicionale, por në realitet, një pjesë e mirë e elektoratit të tyre është e lodhur nga marrëveshjet e interesit dhe e orientuar drejt ndryshimit të vërtetë që e përfaqëson Vetëvendosje. Për më tepër, përpjekja për t’u bashkuar vetëm për ta mposhtur një kandidat të LVV-së, pa ofruar një vizion të ri për qytetin, mund të ketë efekt të kundërt dhe të forcojë bindjen e qytetarëve për të mbështetur modelin e qeverisjes së drejtë dhe transparente që Vetëvendosje synon ta sjellë. Prandaj, gara në Prishtinë mbetet e hapur, por me një epërsi morale, politike dhe qytetare në anën e LVV-së, e cila tashmë po e ndien mbështetjen e shtuar nga të rinjtë, profesionistët dhe qytetarët që duan zhvillim e jo pazare politike”, përfundon avokati.
Gara e balotazhit mbahet më 9 nëntor. Këtij procesi do t’i nënshtrohen 17 komuna, derisa në 13 prej tyre janë krijuar koalicione. Aleanca më e shpeshtë është ajo mes PDK-së dhe LDK-së.



Të tjera
Ish-gardiani i burgut të Prishtinës deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për krime lufte
Totaj priti ambasadorin e Turqisë, rikonfirmohen marrëdhëniet e shkëlqyera
Arsyet pse duhet të hani gjalpë kikiriku