Barduani në Bruksel për raportimin e fundit: Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike

Komandanti i misionit të NATO’s në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, bëri raportimin përfundimtar para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe para Këshillit të Atlantikut të Veriut, të dyja në formatin e KFOR-it, në selinë e NATO-s, në Bruksel.

KFOR tha se gjatë fjalimit të tij, Barduani ndau vlerësimin e tij mbi situatën e sigurisë në Kosovë, duke theksuar “angazhimin e qëndrueshëm dhe të suksesshëm të KFOR-it për stabilitet dhe në mbështetje të veprimeve diplomatike, me fokus të veçantë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës”.

“Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike”, deklaroi komandanti i KFOR-it.

“Gjeneral Barduani theksoi gjithashtu – midis arritjeve të KFOR-it – forcimin e misionit, edhe përmes vendosjes së përkohshme të forcave rezervë dhe bashkëpunimin e thelluar me bashkësinë ndërkombëtare, organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe”.

Gjatë vizitës, KFOR njoftoi se Barduani u takua gjithashtu me Gjeneralin Seán Clancy, Kryetar i Komitetit Ushtarak të BE-së, me të cilin diskutoi bashkëpunimin e KFOR-it me operacionet EULEX dhe EUFOR Althea në Bosnje dhe Hercegovinë.

KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./Express/