Bashkë për pavarësi nga Lista serbe!

Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri tek konstituimi i Kuvendit të Kosovës, në pikëpyetje vazhdon të mbetet mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje, e cila fitoi shumicën në zgjedhjet e 9 shkurtit do ta formojë Qeverinë.

Partitë opozitare, PDK, LDK e AAK janë shprehur prerazi kundër një koalicioni me LVV-në dhe kjo ka bërë që në matematikat për formimin e Qeverisë së re të hyj edhe Nisma e cila i ka tre deputetë, të cilët po ashtu nuk i bëjnë numrat e mjaftueshëm për formimin e Qeverisë e madje as për votimin e kryetarit të Kuvendit.

Edhe tek përfaqësuesit e minoriteteve joserbe ka pasur “luhatje” nëse do ta votojnë apo jo Qeverinë Kurti.

Kjo ka shtyrë LVV-në që ta vendos në zbatim “planin B” duke kërkuar përfshirjen e një partie shqiptare në koalicion, por se asnjëra prej tyre nuk ka pranuar që t’i bashkohet.

Në të kaluarën, partitë fituese të zgjedhjeve, edhe pse mund të kenë arritur një shumicë të konsiderueshme, hasnin në vështirësi për ta formuar një qeveri pa mbështetje nga Lista serbe. \

Ky koalicion shpesh ka sjellë marrëveshjeje që, ndonëse e nevojshme për numrat, ka ardhur me një çmim të lartë për shtetin tonë. Lista serbe do të faktorizohej duke ndikuar edhe në politikat e brendshme të Kosovës.

Lista serbe, ka luajtur një rol të dyshimtë në stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në veri të vendit.

Prandaj, një koalicion ndërmjet partive shqiptare është thelbësor jo vetëm për formimin e një qeverie të fortë dhe stabile, por edhe për të shmangur ndikimin e Listës serbe në proceset vendimmarrëse. Kjo do të sigurojë që vendimet e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës të merren në përputhje me interesat e popullit të Kosovës, pa pasur nevojë për kompromiset që shpesh janë kërkuar nga Lista serbe në këmbim të numrave.

Një koalicion ndërmjet partive shqiptare është mundësi për të forcuar shtetin e Kosovës, duke ofruar një qeveri të përgjegjshme dhe të qëndrueshme që përfaqëson të gjitha grupet shoqërore, por që gjithashtu është e vendosur për të mbrojtur integritetin dhe të ardhmen e Kosovës si një shtet të pavarur.

Në këtë mënyrë, formimi i një koalicioni ndërmjet partive shqiptare është një hap i domosdoshëm për të siguruar se vendi nuk do të mbetet i varur nga ndikimet destruktive të aktorëve të jashtëm, kur dihet se Lista serbe është e dirigjuar nga Beogradi.

Prandaj, kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në ditën e konstituimit të Kuvendit, do të ishte e udhës që subjektet politike shqiptare të takoheshin edhe binin dakord për një koalicion ndërmjet tyre, me qëllimin mbi të gjitha qëllimet që është pavarësia nga numrat e Listës serbe.