Bashkimi Evropian ka dështuar ta miratojë një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë të martën, pasi Sllovakia kërkoi më shumë garanci se nuk do të dëmtohej nga një plan i veçantë i BE-së për ta ndalur gradualisht gazin rus.
Komisioni Evropian kishte deklaruar të publikuar nga zyra e kryeministrit sllovak, Robert Fico, se do të punonte për t’i adresuar shqetësimet e Sllovakisë, duke u përpjekur të hapte rrugën për një marrëveshje për sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Përfaqësuesi i Sllovakisë në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së të martën kishte për detyrë të kërkonte shtyrjen e votimit të planifikuar për sanksionet, tha Fico në një deklaratë.
“Megjithatë, është i gatshëm të bisedojë për garancitë që do t’i ofrojnë Sllovakisë njëfarë sigurie në furnizimin me gaz pas vitit 2028”, shtoi ai.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke folur pas takimit të ministrave të Jashtëm, tha se ndihej “vërtet e trishtuar” që sanksionet nuk u miratuan, duke shtuar se “tashmë topi është në fushën e Sllovakisë”.
Ajo shtoi se ka shpresë se një marrëveshje për sanksionet mund të arrihet të mërkurën.
Sllovakia e ka bllokuar paketën më të fundit të sanksioneve – e cila kërkon miratimin unanim të shteteve anëtare të BE-së – derisa të adresohen shqetësimet e saj lidhur me një propozim të BE-së për të ndalur importet e gazit rus deri më 1 janar 2028.
Sllovakia, e cila vazhdon të importojë energji ruse dhe shpesh mban qëndrime pro-ruse për Ukrainën, argumenton se ndërprerja e gazit rus mund të shkaktojë mungesa, rritje çmimesh dhe tarifash transiti, si dhe kërkesa për dëmshpërblime nga furnizuesi rus Gazprom.
Propozimet e BE-së për ndalimin e gazit rus deri më 2028 – me një fazë të ndërprerjes graduale që fillon vitin e ardhshëm – kanë nevojë për mbështetjen e një shumice të përforcuar të vendeve për të kaluar, që do të thotë se Sllovakia nuk mund t’i vërë veton e vetme./REL
Të tjera
Moska po kërkon zgjerimin e lu*ftës
Shukri Buja nis fushatën në Lipjan me një atmosferë elektrizuese – Fitorja është e jona!
Shukri Buja nis fushatën në Lipjan me një atmosferë elektrizuese!