Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka deklaruar se vendet anëtare të bllokut nuk kanë dëshirë të përfshihen “aktivisht” në veprime ushtarake kundër Iranit, si dhe ka theksuar se Evropa “nuk ka interes për një luftë të pafundme” teksa tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen, transmeton Anadolu.
Duke folur pas një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel, Kallas theksoi se derisa blloku po punon për të forcuar sigurinë detare, ka pak mbështetje nga vendet anëtare për zgjerimin e mandateve ushtarake në rajon.
“Ne kemi operacionin ‘Aspides’ në Detin e Kuq,” tha Kallas, duke iu referuar misionit detar të BE-së.
“Diskutimi nëse do ta zgjerojmë këtë mandat për të përfshirë Ngushticën e Hormuzit, për të shkuar në veri nga linja e Muskatit, nuk kishte mbështetje nga vendet anëtare për ta bërë këtë”, tha Kallas.
“Askush nuk dëshiron të përfshihet aktivisht në këtë luftë. Dhe sigurisht, të gjithë janë të shqetësuar për rezultatin”, shtoi ajo, duke theksuar se ministrat riafirmuan angazhimin për të mbrojtur lirinë e lundrimit dhe për të intensifikuar përpjekjet diplomatike për stabilizimin e situatës.
“Kjo nuk është lufta e Evropës, por interesat e Evropës janë drejtpërdrejtë në rrezik”, tha Kallas, duke theksuar se prioriteti i bllokut është mbrojtja e qytetarëve të tij teksa konflikti po zgjerohet.
Ajo theksoi se rreth 20 për qind e furnizimeve globale me naftë dhe gaz kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, së bashku me mallra të rëndësishme si plehrat kimike.
“Nëse këtë vit nuk kemi plehra kimike, vitin tjetër mund të kemi uri,” paralajmëroi ajo, duke theksuar rreziqet për rajone si Azia dhe Afrika.
– Gaza, Bregu Perëndimor dhe Libani
Duke u ndalur te Lindja e Mesme në përgjithësi, Kallas paralajmëroi se situata humanitare dhe politike në Gaza dhe në Bregun Perëndimor “po shkon në drejtimin e gabuar”, ndërsa përparimi për një plan paqeje është bllokuar.
Ajo gjithashtu përmendi shqetësimet për dhunën në Bregun Perëndimor dhe mungesën e përgjegjësisë për kolonët ekstremistë, duke theksuar se shumica e vendeve të BE-së mbështesin vendosjen e sanksioneve, megjithëse një vend anëtar vazhdon ta bllokojë këtë hap.
Për Libanin, Kallas tha se civilët po mbajnë barrën kryesore të dhunës në përshkallëzim.
“Përgjigjja e ashpër e Izraelit ka shkaktuar zhvendosje masive dhe një pushtim tokësor do ta përkeqësojë edhe më shumë situatën”, paralajmëroi ajo.
– Ukraina mbetet prioriteti kryesor
Pavarësisht tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, Kallas theksoi se Ukraina mbetet “prioriteti kryesor i sigurisë” për Evropën, duke argumentuar se Moska mund të përfitojë nga rritja e çmimeve të energjisë dhe nga devijimi i burimeve ushtarake.
Ajo tha se BE-ja do të vazhdojë të mbajë sanksionet ndaj Rusisë, edhe pasi SHBA-ja ndërmori hapa për të lehtësuar kufizimet ndaj naftës ruse.
“Nëse duam që kjo luftë të përfundojë, Moska duhet të ketë më pak para për luftën, jo më shumë”, tha Kallas.



Të tjera
Që të mos shëndosheni, “menaxhojeni” madhësinë e racionit
Gërvalla i lë përgjegjës opozitarët për ngërçin për presidentin
Jam habitur nga dekreti i presidentes, ishte i nxituar