Parlamenti Evropian ka miratuar rregulla të reja që synojnë të forcojnë sigurinë rrugore në gjithë Bashkimin Evropian, duke përfshirë patentat digjitale, periudhë prove dhe ndëshkime të përbashkëta për drejtuesit që kryejnë shkelje serioze në shtetet anëtare.
Për herë të parë është vendosur një periudhë prove prej të paktën dy vjetësh për drejtuesit e rinj.
Të rinjtë mund të fillojnë të drejtojnë automjet (kategoria B) në moshën 17 vjeç, por me drejtues me përvojë pranë tyre deri në 18 vjeç.
Po ashtu është vendosur për patentat digjitale, që do të thotë se dokumenti i drejtuesit të automjetit mund të jetë në celular, si format kryesor në BE, megjithatë, përdorimi i patentës fizike mbetet i mundshëm.
Ndëshkime të përbashkëta ndër‐shtetërore: shkelësit seriozë (p.sh. drejtim në gjendje të dehur, shpejtësi jashtë mase, ose aksidente me vdekje) nuk do të mund të “shmangin” ndëshkimin duke kaluar në një shtet tjetër anëtar të BE-së.
Afati i vlefshmërisë së patentës për makinat dhe motoçikletat do të jetë deri në 15 vjet, derisa në shtetet ku patenta shërben edhe si dokument identiteti, afati mund të jetë vetëm 10 vjet.
Testet për marrjen e patentës do të përfshijnë trajnim dhe njohuri shtesë për përdorimin e telefonit në timon, sistemet ndihmëse të automjetit, ndërveprimin me këmbësorët, fëmijët, çiklistët etj.
Reforma është pjesë e paketës së BE-së që synon të arrijë qëllimin “Zero Fatalitete” në rrugë deri në vitin 2050.
Rregullat hyjnë në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së. Shtetet anëtare kanë tre vjet për të integruar ligjin në legjislacionin e tyre dhe një vit shtesë për zbatimin praktik.
Progresi i sigurisë rrugore ndryshon ndjeshëm midis vendeve. Suedia, Malta dhe Danimarka kanë rrugët më të sigurta, me 20-24 vdekje për 1 milion banorë, ndërsa Rumania dhe Bullgaria kanë shkallën më të lartë të fataliteteve, respektivisht 78 dhe 74 për 1 milion banorë. Gjermania raporton 33 vdekje për milion, nën mesataren e BE-së prej 45.



Të tjera
Pas arrestimit për ryshfet, bastiset shtëpia e prokurorit Beqë Shala
Media shqiptare: Liburn Aliu emërohet drejtor i Portit të Durrësit
Çfarë nuk duhet të konsumoni kur keni stomakun bosh