Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë të cilit u vlerësua partneriteti i fortë dhe progresi që Shqipëria ka bërë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj vlerësoi lidershipin e Presidentes von der Lyen për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces, duke mundësuar që të jetë ndër të parat përfituese e fondeve nga Plani i Rritjes, si dhe për insistimin për të patur Ballkanin Perëndimor në qendër të agjendës të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Kreu i Shtetit nënvizoi se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është një mision kombëtar, interes kombëtar dhe ëndrra 35-vjeçare që bashkon brezat dhe shoqërinë, dhe se progresi i arritur në hapjen e 28 kapitujve negociues në pesë nga gjashtë grupkapitujt dëshmon vendosmërinë e institucioneve shqiptare për të ecur përpara me ritme të shpejta e të qëndrueshme.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit janë dy arritje që Shqipëria i ka realizuar si asnjë vend tjetër në rajon dhe vijojnë të jenë prioritare në mbrojtje të interesit publik dhe të respektimit të të drejtave të qytetarëve.
Ai vuri në dukje rëndësinë e digjitalizimit dhe inovacionit në qeverisje si pjesë e procesit të modernizimit të administratës publike dhe rritjes së transparencës.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbetet plotësisht e linjëzuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe e angazhuar aktivisht në dialogun e sigurisë dhe të mbrojtjes BE-Shqipëri.
Kreu i Shtetit u ndal edhe në rëndësinë e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, të cilin e sheh si pjesë integrale të stabilitetit dhe të ardhmes së Evropës.
Në përfundim, Presidenti Begaj shprehu bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të jetë partnere e besueshme dhe e përkushtuar në këtë udhëtim, duke theksuar se integrimi evropian është një investim i përbashkët për të ardhmen e kontinentit.
Presidenti i Republikës falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për mbështetjen e vazhdueshme teknike, politike dhe financiare, si dhe për vizionin e përbashkët për një Evropë të bashkuar, të fortë dhe gjithëpërfshirëse.



Të tjera
Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet në Spanjë
Është përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore
Rinumërimi i plotë i votave në Kosovë është i domosdoshëm