Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami, ka vlerësuar se PDK ka arritur një rezultat të mirë në zgjedhjet lokale, pavarësisht mungesës së dy themeluesve të partisë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, raporton GazetaBlic.
Behrami në një intervistë për dokumentarin ‘Expose’ prodhim i GazetaBlic, tha se Partia Demokratike e Kosovës, është partia me numrin më të madh të votave dhe me përfaqësimin më të gjerë nëpër kuvendet komunale në vend.
Ai theksoi se partia ka shënuar një rritje të madhe edhe në kryeqytet.
“Në rrethanat teper të vështira në të cilën gjendet PDK në mungësë të dy themeluesve të saj zotit Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, besoj që ne e kemi arritur një rezultat teper të mirë në zgjedhjet lokale. Partia Demokratike e Kosovës është partia e parë me numrin më të madh të votave është partia që ka më së shumti asambleistë dhe përfaqësim nëpër kuvendet komunale në Republikën e Kosovës, dhe kemi një rritje teper teper të madhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, që PDK edhe një herë e forcon edhe në kryeqytetin e Kosovës. Prandaj duke parë të gjitha rezultatet, unë besoj që ka qenë një rezultat i mirë dhe në të ardhmen natyrisht që pritet një punë edhe më e madhe, një mobilizim edhe më i madh për ti rritur komunat në të cilat udhëheq PDK, por mbi të gjitha që të kemi edhe qeverinë shumë shpejt pasi që të mbahen zgjedhjet”, u shpreh ai.
Behrami theksoi se kjo periudhë duhet të shërbejë si kohë reflektimi për të gjitha partitë politike, për të analizuar sukseset dhe dështimet e tyre, si dhe për të kuptuar se ku mund të ketë pasur mungesë mobilizimi apo investimi.
Ai shtoi se një pjesë e madhe e energjisë së PDK-së, si kadrovike ashtu edhe financiare, është drejtuar drejt mbështetjes së krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, gjë që sipas tij ka ndikuar në kapacitetin e partisë për të mbështetur më fuqishëm disa kandidatë në zgjedhjet lokale.
“Unë mendoj që tash është koha për bilanc për të gjitha partitë politike, që të bëjnë një bilanc të brendshëm, se ku ka shku mirë, ku ka shku keq, cka ka qalu, cka jo, ku ka mujt me u mobilizu elektorat më shumë e ku më pak, pra është një kohë e reflektimit dhe e kësaj. Partia Demokratike e Kosovës, ka kohë që në nivel lokal të refleketoj dhe shikoj se në cilat pjesë ka mujt me investu më shumë. Por sic thash, një energji shumë e madhe e PDK, një energji jo vetëm kadrovike por edhe energji financiare shkon për krerët e UÇK-së në Hagë, dhe për një betejë e cila nuk është betejë e PDK-së por e Kosovës dhe natyrisht që kjo e ka limitu në masë të madhe edhe mbështetjen e PDK-së për disa kandidat në komunat e Kosovës, po të kishte një suport më të madh financiar dhe një dedikim shumë më të madh në ato komuna unë besoj se do të kishim edhe shumë më shumë komuna në të cilat do të udhëhiqte PDK”, përfundoi Behrami për GazetaBlic.



Të tjera
Stadiumi olimpik “Adem Jashari” po bëhet, ekipi i Kosovës shumë shpejt do ta ketë shtëpinë e dytë të pranuar ndërkombëtarisht
Bashkim Jashari feston ditëlindjen, Bekimi e uron duke e quajtur krenari të familjes dhe luftëtar të palëkundur
Mësoni a keni shokë të vërtetë