Berisha: Strategjia jonë, betejë deri në rrëzimin e qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se strategjia e PD-së është betejë deri në rrëzimin e qeverisë.

Në një konferencë për shtyp, Berisha foli për protestën e 10 shkurtit, ndërsa u shpreh se qytetarët kanë motivet më të fuqishme për t’iu bashkuar kësaj proteste.

“Edi Rama nuk ka më legjitimitet. Për çdo qytetar, ne shohim një zgjerim të madh të mirëkuptimit dhe jemi shumë të inkurajuar, shumë mirënjohës ndaj qytetarëve. Sepse që një qytetar të zemërohet ndaj pushtetit të vendit të tij, duhet të ketë motive të forta”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, “qytetarët e kanë kuptuar se kanë motivet më të fuqishme që mund të ekzistojnë, pasi qeveria nuk ka legjitimitet”.

“Motivi i dytë është se qeveria ka vjedhur qindra dhe miliarda euro dhe jo vetëm që nuk do të ndiejë përgjegjësinë, por bllokon drejtësinë. Janë dy faktorë madhorë që delegjitimojnë çdo pushtet”, tha Berisha.

Berisha foli edhe për kërkesën për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Imunitetin asaj dhe Edi Ramës do t’ia heqë populli shqiptar dhe vetëm shqiptarët. Dhe ju garantoj që do ta realizojë. Zemërimi po vlon në shpirtin dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë. Temperaturat po rriten me shpejtësi. Asgjë nuk mund t’i shpëtojë popullit të zemëruar. Zemërimi po shkon deri në palcë”, tha Berisha.