Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka vlerësuar Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025 në Kosovë, duke i cilësuar ato si një sukses të rëndësishëm demokratik dhe një shembull frymëzues për Shqipërinë.
Në një reagim publik, Berisha theksoi se procesi zgjedhor në Kosovë, përfshirë fushatën, administrimin e votës, procedurat e votimit dhe garën e lirë politike, dëshmoi funksionimin e një demokracie në zhvillim dhe respektimin e vullnetit qytetar.
Ai përgëzoi qytetarët e Kosovës, institucionet shtetërore dhe organet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, si dhe subjektet politike për pjesëmarrjen dhe qasjen e tyre gjatë procesit zgjedhor, duke vlerësuar respektimin e rezultatit përfundimtar.
Berisha po ashtu uroi kryeministrin Albin Kurti për fitoren në zgjedhje, duke e cilësuar rezultatin si shprehje të qartë të vullnetit të sovranit. Ai përmendi edhe partitë e tjera politike, duke i përgëzuar për, siç u shpreh, qëndrimet dinjitoze gjatë fushatës dhe pranimin e verdiktit të qytetarëve.
Në përmbyllje të reagimit të tij, kreu i PD-së e cilësoi Kosovën si krenari të shqiptarëve dhe theksoi se zgjedhjet e 28 dhjetorit përfaqësojnë një arritje të rëndësishme për konsolidimin e rendit demokratik në vend.



Të tjera
VV e PDK zyrtarizojnë koalicionin në Podujevë një ditë pas zgjedhjeve
Derisa procesi i numërimit vazhdon, kjo është TOP 5-shja më e votuar në Lëvizjen Vetëvendosje deri më tani
10 gjërat që i ndodhin trupit derisa rreziteni në plazh