Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ka reaguar pas, siç e ka quajtur, një fushate denigruese të zhvilluar ditëve të fundit ndaj Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava.
Në komunikatën për media, thuhet se disa portale dhe emisione të ashtuquajtura “hulumtuese” kanë përhapur shpifje dhe insinuata të pavërteta që lidhen me Tërnaven dhe familjen e tij.
Shkrimet e para për këtë çështje janë injoruar nga ana jonë, të bindur në të vërtetën që e dimë të gjithë. Megjithatë, duke e parë se këto publikime po vazhdojnë misionin e tyre dhe kanë kaluar në një fushatë të orkestruar denigruese ndaj Myftiut Naim ef. Tërnava dhe familjes së tij, me pretendime të rreme se gjoja një i afërm i Myftiut është i përfshirë në çështje të fajdeve, duke e paraqitur Myftiun si “viktimë” dhe madje duke shprehur një lloj keqardhjeje të shtirur, ndihemi të detyruar që, për hir të së vërtetës dhe për sqarimin e opinionit të gjerë e të besimtarëve tanë”, thuhet në reagim, transmeton KosovaPost.
BIK thekson se “as Myftiu Naim Tërnava dhe as ndonjë anëtar i familjes së tij nuk kanë të bëjnë me pretendimet e ngritura ditëve të fundit nga qarqe dhe portale të ndryshme”.
Sipas Kryesisë së BIK-ut, qëllimi i kësaj fushate është dëmtimi i figurës së Tërnaves për shkak të punës dhe angazhimit të tij në të mirë të komunitetit dhe vendit.
“Theksojmë qartë dhe prerazi se në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë dhe asnjëherë, as Myftiu Naim ef. Tërnava dhe as ndonjë anëtar i familjes së tij nuk kanë të bëjnë me pretendimet e ngritura ditëve të fundit nga qarqe dhe portale të ndryshme.
Jemi të vetëdijshëm se fushata të tilla kundër Myftiut Tërnava i konvenojnë shumëkujt dhe shumë qarqeve, për shkak të punës dhe aktivitetit të tij të pandalshëm në të mirë të Bashkësisë Islame të Kosovës, të komunitetit dhe të vendit.
Nuk habitemi kur segmente të caktuara të shoqërisë angazhohen për ta dëmtuar me shpifje, akuza dhe pretendime të pabazuara, të cilat synojnë të lëndojnë ndjenjat e besimtarëve tanë.
Megjithatë, si edhe më parë, fushata të tilla me qëllime dashakeqe dhe tendencioze ndaj familjes së Myftiut, ndaj vetë Myftiut dhe ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës, do të përfundojnë të turpëruara.
Prandaj, edhe një herë sqarojmë opinionin publik se nga fushata denigruese e ngritur ditëve të fundit nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet e publikuara në disa portale dhe emisione të ashtuquajtura “hulumtuese”. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës”, thuhet në komunikatë.



Të tjera
Premier League zbulon si e quan Granit Xhakën
Trump kërkon ndihmën e Kinës për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë
Hap historik: Ukraina do të marrë 150 aeroplanë luftarakë Gripen nga Suedia