Politika e Aleksandar Vuçiqit e “uljes në dy karrige” – midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian – po i kthehet si bumerang. Pas vendosjes së sanksioneve ndaj kompanisë energjetike NIS, që është nën ndikimin rus, dobësitë e regjimit serb dolën plotësisht në pah. Kështu thotë Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Sipas saj, kjo krizë mund të ndryshojë përfundimisht balancat politike në rajon, përfshirë edhe qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.
“Sanksionet ndaj NIS-it janë më shumë se një çështje energjetike – ato testojnë të gjithë strukturën e pushtetit të Vuçiqit, aftësinë e tij për të ruajtur ekuilibrin mes Rusisë dhe BE-së dhe për të mbajtur gjallë narrativin e stabilitetit që ka qenë shtylla kryesore e regjimit të tij,” deklaroi Biserko në një intervistë për portalin ETV.
Sipas saj, Serbia është futur në një fazë të re tensioni, sepse Perëndimi po humb durimin, ndërsa Moska kërkon besnikëri të plotë. Kjo e ka lënë Vuçiqin “pa aleatë dhe pa rrugëdalje”.
“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk do të tolerojnë më këtë pozicion neutraliteti të rremë. Beogradi duhet të vendosë – ose rruga evropiane, ose varësia nga Moska,” shtoi ajo.
Sipas Biserkos, pasojat mund të jenë serioze: humbje e besimit të investitorëve, dobësim i dinarit, rritje e çmimeve të importit dhe goditje për projekte strategjike si Expo 2027, të cilin Vuçiq e sheh si simbol të suksesit të tij.
Edhe pse efektet e menjëhershme ekonomike janë të kufizuara, kriza e rrit pasigurinë politike, duke e vendosur pushtetin nën presion për të gjetur një kurs të ri të politikës së jashtme.
Nëse ndodh ndonjë tronditje ekonomike ose rritje e presionit perëndimor, sipas Biserkos, Partia Përparimtare Serbe (SNS) mund të humbasë një pjesë të mbështetjes, ndërsa opozita mund të fitojë terren.
“Sanksionet ndaj NIS-it dhe presioni që ato sjellin mund të përshpejtojnë ndryshimet politike në Serbi, jo vetëm për shkak të pasojave ekonomike, por edhe për shkak të rrëzimit të narrativit të stabilitetit mbi të cilin pushteti është mbajtur deri tani,” tha Biserko.
Ajo shtoi se meqë Parlamenti Evropian tashmë ka miratuar një Rezolutë shumë kritike për Serbinë, është e qartë se Vuçiq ka humbur durimin e BE-së dhe SHBA-së.
Nëse Beogradi nuk e përcakton qartë pozicionin e tij, mund të përballet me izolim diplomatik, ndërprerje fondesh evropiane dhe sanksione politike.
“Rënia e mbështetjes ndërkombëtare mund të çojë në ndryshime të brendshme, sepse pushteti në Serbi tradicionalisht varet nga legjitimiteti i jashtëm,” tha ajo, duke shtuar se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht rrëzim të menjëhershëm të regjimit, por “fillimin e erozionit të tij politik”.
Sipas Biserkos, Vuçiq mund të tentojë të mbijetojë politikisht me disa lëvizje simbolike proevropiane – si deklarata për afrim me BE-në, rregullime teknike ose distancim verbal nga Moska – por pa ndryshime reale.
“Vuçiq nuk është gati të shkëputet nga Rusia, sidomos në sektorin e energjisë dhe sigurisë. Ai mund të vazhdojë me narrativën e ‘Serbisë së rrezikuar’, duke përdorur tema si Kosova, Republika Srpska apo ‘presionet nga Brukseli e Uashingtoni’,” theksoi ajo.
Por sipas saj, Moska nuk do të pranojë këtë lojë të dyfishtë dhe mund të ushtrojë presion përmes ndikimit të saj ekonomik dhe mediatik në Serbi.
“Vuçiq mund të mbijetojë taktikisht, por nuk ka më hapësirë strategjike për ta zgjidhur këtë krizë. Çdo krizë e ardhshme do të jetë më e rrezikshme për të, sepse po lodh edhe sistemin edhe shoqërinë,” përfundoi Biserko.
Të tjera
Një lajm i keq për ata që e përziejnë vodkën me pije energjike
BQK lanson garën edukative për studentët dhe profesionistët e rinj
Inovatorët e Kosovës po formësojnë të ardhmen dixhitale