Këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiiu, ka reaguar ndaj, siç i quan ai, dezinformatave që po qarkullojnë lidhur me takimet e zhvilluara në Zvicër, të bashkë-organizuara nga organizata amerikane Council for Inclusive Governance (CIG) dhe Departamenti Federal Zviceran i Punëve të Jashtme (FDFA), transmeton KosovaPost.
Duke u bazuar në një konfirmim zyrtar nga vetë CIG, Kadiiu thekson se pretendimet për takime sekrete apo negociata të fshehta janë të pavërteta.
“Vetë organizata CIG konfirmon se takimet nuk janë sekrete, nuk prodhojnë marrëveshje, angazhime apo negocime dhe nuk përfaqësojnë qëndrime konsensusi apo përfundime të dakordësuara mes palëve”, ka shkruar Kadiiu.
Sipas tij, CIG ka sqaruar gjithashtu se nuk organizon takime dypalëshe mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë;
raportet e publikuara janë përmbledhje të pikëpamjeve të shprehura dhe jo dokumente konsensuale dhe se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Marko Gjuriq nuk kanë marrë pjesë kurrë së bashku në asnjë takim të organizuar nga CIG.
Kadiiu ka bërë të ditur se reagimi zyrtar vjen nga selia e CIG në Nju Jork dhe se ai ka publikuar edhe përkthimin në shqip të deklaratës në gjuhën angleze.
Në deklaratën e saj, CIG sqaron se për më shumë se një dekadë, në bashkëpunim me FDFA-në, ka lehtësuar diskutime joformale dhe gjithëpërfshirëse mes përfaqësuesve të partive parlamentare nga Kosova dhe Serbia, si nga pozita ashtu edhe nga opozita.
“Qëllimi i këtyre diskutimeve është të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve për normalizimin e marrëdhënieve, duke ofruar një forum informal për shkëmbim pikëpamjesh dhe ruajtje të komunikimit kur kanalet zyrtare janë të kufizuara”, thuhet në sqarimin e CIG.
Takimet, sipas organizatës, zhvillohen gjithmonë në formate të përbashkëta me dhjetëra pjesëmarrës, ndërsa pjesëmarrësit mund t’u referohen atyre publikisht në përputhje me Rregullën e Chatham House.
Me këtë reagim, Kadiiu ka kërkuar që debati publik të mbështetet në fakte të verifikuara dhe jo në, siç i quan ai, narrativa të rreme që keqinformojnë opinionin.



Të tjera
Si ta pastroni trupin nga toksinat?
Fakte për gratë që ndoshta nuk i keni ditur
Fjetja herët i bën fëmijët më të mençur dhe më të shëndetshëm