​Bizneset e Kosovës ankohen për bllokim të transportit për dërgesat në Portin e Durrësit

Bizneset e Kosovës po ankohen për bllokim në procesin e transporteve për dërgesat në Portin e Durrësit dhe se nuk po lejohen nisjet e kamionëve në bazë të një protokolli të nënshkruar nga Ministria e Financave e Shqipërisë në vitin 2016 për transitin e përbashkët T2.

Ato thonë se kanë marrë njoftimin nga Dogana e Kosovës, e cila është njoftuar nga Dogana e Shqipërisë se transiti i përbashkët T2 në bazë të marrëveshjes mes dy qeverive nuk vlen më nga data 9 prill 2025.

Bizneset kanë shprehur shqetësimin se kjo po u shkakton atyre kaos në procesin e punës, duke thënë se duhet të depozitohet T1 vetëm nga agjencia doganore e Shqipërisë.

Ato kërkojnë një reagim të shpejtë nga institucionet e Kosovës, pasi janë të bllokuar në procesin e transporteve.

Në dispozitën e fundit të udhëzimit thuhet që të gjitha hapat e tjera kryen normalisht sipas Instruksionit mbi Procedurën e Transitit të T1.