Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të pestën herë me radhë të konstituohet, duke mos arritur zgjedhjen e kryetarit dhe strukturave tjera udhëheqëse të legjislativit.
Për momentin, asnjëra nga partitë nuk po tregon fleksibilitet për të dalë nga ngërçi, ndërsa qytetarët po shohin një Kuvend të paralizuar dhe mungesë serioze të përgjegjësisë politike.
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj në një prononcim për “Bota sot” thotë se ngërçi politik në Kosovë nuk është vetëm përgjegjësi e një pale.
Sipas tij, problemi qëndron si te opozita që po bllokon konstituimin e Kuvendit në mënyrë të paarsyeshme, ashtu edhe te Vetëvendosje, që po insiston të vazhdojë pa siguruar shumicën prej 61 votave.
Tutje, Salihaj thotë se qasja e të dy palëve shihet si taktike politike, me synimin për të fituar më shumë terren politik, por pa marrë përgjegjësinë për të zgjidhur krizën.
“Unë e shoh problemin në të dy anët. Së pari, opozita në mënyrë të paarsyeshme po bllokon konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Partitë opozitare nuk duhet t’u bëjnë opozitë institucioneve, por programit partiak dhe punës së institucioneve. Bllokimi i konstituimit të institucioneve është politikë antishtetërore, jo politikë kundër Vetëvendosjes.

Së dyti, edhe Vetëvendosje nuk duhet të insistojë në konstituimin e Kuvendit, nëse nuk i ka 61 vota. Edhe pse është partia e parë me vota, duhet t’i ketë 61 vota, pa këto vota nuk mund të funksionojë as kuvendi, as qeveria. Bindja ime është se të dy palët po bëjnë taktizime, sepse as opozita nuk i ka votat e duhura, edhe po t’i jepej mundësia ta konstituonte Kuvendin dhe ta formonte qeverinë.
Situata ka zgjidhje nëse ka vullnet”, thotë ai.
Ndërkohë, për roli i Presidentes në zgjidhjen e ngërçit Salihaj e vlerëson si të kufizuar, pasi nuk mund t’i detyrojë deputetët të votojnë.
“E kam thënë edhe më parë, se LDK-ja ka interes të hyjë në koalicion me Vetëvendosjen, t’i marrë vendin e zëvendëskryeministrit, disa ministri dhe pozitën e presidentit të Kosovës. Kjo do të ishte premi e madhe për votat që ka. Nuk më vjen mirë aspak që LDK është kaq refuzuese ndaj Vetëvendosjes, e është kaq e afërt me partitë e krimit, të cilat kanë vrarë veprimtarët e LDK-së dhe i kanë bërë dëme të pariparueshme Kosovës.
Sa i përket ndërhyrjes së Presidentes, nuk e shosh se si ajo do të mund t’i detyrojë deputetët e partive politike që të votojnë për këto çështje” – përfundon ai.
Të tjera
Shega shëron tri sëmundje të rrezikshme
Raportimi për përdorimin e burimeve shtetërore për vajzat e Presidentes, 100% në interes të publikut
Princi saudit i kurorës premton mbështetje për Katarin, bën thirrje për veprim pas sulmit izraelit në Doha