BQK-BQE me marrëveshje për sigurimin e integritetit të valutës euro në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi në fushën e luftimit të falsifikimit të kartëmonedhave euro, duke forcuar më tej përkushtimin institucional për ruajtjen e integritetit të parasë së gatshme euro në qarkullim dhe sigurimin e stabilitetit financiar të vendit. Marrëveshja është nënshkruar nga Guvernatori i BQK-së, z. Ismaili dhe Presidentja e BQE-së, znj. Lagarde.

Kjo Marrëveshje shënon një moment të rëndësishëm në përafrimin me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian në luftën kundër falsifikimit të parasë, dhe vendos bazat për një bashkëpunim teknik të strukturuar, përfshirë shkëmbimin e informacionit përmes Sistemit të Monitorimit të Falsifikimeve të BQE-së (CMS), i cili mbështet identifikimin dhe analizën e kartëmonedhave euro të falsifikuara.

Përmes kësaj Marrëveshjeje, BQK do të ketë qasje në mekanizmat operativë të BQE-së të dizajnuar për të parandaluar dhe luftuar falsifikimin e kartëmonedhave euro dhe do të integrohet në rrjetin profesional të bashkëpunimit me bankat qendrore të Eurosistemit dhe institucione partnere jashtë zonës euro, përfshirë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ky bashkëpunim është rezultat i një përpjekjeje ndërinstitucionale në Republikën e Kosovës, e udhëhequr nga BQK, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, për të ndërtuar një kornizë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse kundër falsifikimit.

BQK riafirmon përkushtimin e saj për forcimin e kapaciteteve të brendshme, modernizimin dhe automatizimin e përpunimit të parasë në përputhje me standardet e Eurosistemit, rritjen e vetëdijes publike dhe avancimin e mëtejshëm drejt integrimit të plotë në praktikat e përbashkëta të Bashkimit Evropian.