Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman Sparkassenstiftung dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK), ka lansuar garën “Stock Market Learning Competition Game”, një iniciativë rajonale që synon të pajisë studentët dhe profesionistët e rinj me njohuri praktike mbi tregjet e kapitalit përmes pjesëmarrjes në Bursën Virtuale të Shtutgartit.
Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve partnere, studentë nga tetë fakultete dhe punonjës të rinj bankash. Në ceremoninë virtuale morën pjesë Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, drejtori i Sparkassenstiftung, Niclaus Bergmann, si dhe Kryeshefi Ekzekutiv i SHBK-së, Petrit Balija, njofton zyra për informim e BQK-së.
Guvernatori Ismaili theksoi se gara është një hap i rëndësishëm për promovimin e edukimit financiar dhe forcimin e ekosistemit financiar në Kosovë, duke kombinuar njohuritë financiare me aftësitë digjitale, në një kohë kur teknologjitë si fintech, blockchain dhe inteligjenca artificiale po transformojnë sistemin financiar.
Bëhet e ditur se gara do të përmbyllet me ndarjen e çmimeve për tri ekipet më të suksesshme, duke vlerësuar njohuritë dhe aftësitë analitike të pjesëmarrësve. BQK theksoi përkushtimin e saj për zhvillimin e iniçiativave të qëndrueshme në edukimin financiar, transparencë dhe ofrimin e mundësive praktike për të rinjtë në vend.
Në përfundim, Guvernatori falënderoi të gjithë partnerët dhe pjesëmarrësit, duke rikonfirmuar angazhimin e BQK-së për promovimin e edukimit financiar dhe përfshirjes në Kosovë.
Të tjera
Drita – Omonia, publikohen formacionet zyrtare
SHBA kundërshton Parlamentin izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor
Osmani:Unë vij nga Kosova, vendi ku beteja për liri bartë peshën e shekujve