Nga Agim Morina, Londër
«Fjalinë e parë në gjuhën shqipe e ka shkruar një prift katolik, në vitin 1462.
Librin e parë në gjuhën shqipe e ka shkruar një prift katolik, në vitin 1555.
Librin e parë në prozë origjinale në gjuhën shqipe e ka shkruar një prift katolik, në vitin 1685.
Fjalorin e parë etimologjik të shqipes e ka hartuar një prift katolik, në gjysmën e parë të shekullit XVII.
Fjalorin e parë shqip–latinisht e ka hartuar një prift katolik, në vitin 1643.
Shkollat e para ku është mësuar shqipja kanë qenë kolegjet katolike.
Romanin e parë në gjuhën shqipe e ka shkruar një prift katolik, në vitin 1888.
Kryetari i Kongresit të Alfabetit në Manastir ka qenë një prift katolik.
Lista mund të zgjatet gjatë.
E megjithatë, përkundër gjithë këtyre fakteve, ende ka injorantë që kanë dilema se kush ishte në ballë të luftës për mbrojtjen e identitetit shqiptar. Dhe nuk janë vetëm injorantë. Janë edhe budallenj, sepse budallallëku nis pikërisht aty ku refuzohen dëshmitë dhe provat.»
Krejt çfarë ka shkru zoti Latifi asht e saktë. Në themelet e kulturës shqiptare, të identitetit kulturor shqiptar, qëndron ndihmesa e pamatshme, e pamohueshme e klerit katolik shqiptar. Priftat shqiptarë, megjithëse ishin katolikë, kanë dijtë m’iu kundërvu edhe vetë Vatikanit, kur asht vu në pyetje gjuha shqipe dhe identiteti shqiptar. Brenda kornizave të krishtenizmit ata kanë punu për rujtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare. Fjala vjen, «Meshari» i Gjon Buzukut asht në vijën e reformacionit europian. Pjetër Budi iu ka kundërvu Vatikanit për shkak të dërgimit të priftave të huej në Shqipni dhe mendohet se ky konflikt çoi në mbytjen e tij në lumin Drin. Pjetër Bogdani në relacionet e tij kërkon që të dërgohen sa ma shum prifta shqiptarë dhe vepra Çeta e Profetëve asht dëshmia ma e mirë e ndihmesës së jashtëzakonshme në rujtjen dhe në kultivimin e gjuhës shqipe. Frang Bardhi përveç fjalorit shkrun Apologjinë e Skenderbeut, si një dëshmi e rujtjes së identitetit shqiptar të Skenderbeut nga përpjekja për me u tjetërsu nga një ipeshkv ortodoks sllav i Bosnjës, Ivan Tomko Marnavići.
Në këtë vijë të rujtjes së gjuhës shqipe gjatë kësaj periudhe kanë punu edhe arbëreshët, por me ma pak prodhim letrar.
Gjithçka tjetër që erdhi ma vonë asht mbindërtim mbi këto themele të palëkundshme që vendosën priftat shqiptarë katolikë. Edhe një krah i klerit islamik atdhetar, që kohësisht erdhi ma vonë, ka punu tue vazhdu këtë vijë.
Në postimin e zotit Latifi ka dy shkamje:
1) Fjalori i Frang Bardhit nuk asht shqip-latinisht, por latinisht-shqip. Dhe asht botu në vitin 1635. Viti 1643 asht vit i vdekjes së tij.
2) Kryetar i Kongresit të Manastirit, 1908, nuk ka qenë katolik (mendohet në Gjergj Fishtën), por një bektashi, Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Gjergj Fishta ka qenë kryetar i Komisionit për Hartimin e Alfabetit.
Këto dy shkamje nuk e zbehin aspak argumentin e zotit Latifi. Mirëpo, janë saktësime që lexuesit asht mirë me i pasë parasysh.
P.S.
Në pikën e fjalorit etimologjik mendoj se ndoshta zoti Latifi e lidh prap me Frang Bardhin. Mirëpo, fjalori i parë me kritere shkencore i gjuhës shqipe asht aj i Gustav Meyerit, 1891.



Të tjera
Pse tradhtojnë femrat? Këto janë arsyet më të shpeshta
Me huanë e reparacioneve për Ukrainën, BE sfidon Putinin dhe Trump-in
Shqipëri, 60% e pagesave do të jenë digjitale deri në 2030