Buja: Çka kam bërë unë për 6 vjet në Lipjan, Imri Ahmeti s'ka bërë për 12 vjet

Buja: Çka kam bërë unë për 6 vjet në Lipjan, Imri Ahmeti s’ka bërë për 12 vjet

Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka shpërthyer me kritika ndaj qeverisjes aktuale, duke theksuar se ekzekutivi i Imri Ahmetit ka dështuar në realizimin e investimeve vitale për Lipjanin.

Në një intervistë për “Expose”, prodhim i GazetaBlic, Buja ka theksuar se ka vizituar 52 fshatra dhe se krahasimi i investimeve të tij me ato të Ahmetit është shqetësues.

“Ky ekzekutiv nuk ka arritur as 70% të investimeve që kam realizuar unë në 6 vitet e fundit. Në çdo fshat ka më shumë investime të mia sesa Imri Ahmeti ka bërë në 12 vjet,” tha Buja.

Ai ka akuzuar qeverisjen e Ahmetit se ka përdorur si justifikim bllokimin e projekteve nga qeverinë qendrore, konkretisht nga VV-ja, por ka kujtuar se në pushtet kanë qenë edhe LDK-ja dhe udhëheqës të tjerë si Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti.

“Arsyetimi se VV-ja po i bllokon projektet është i pavend. Para disa vitesh, në pushtet ka qenë edhe LDK-ja, Isa Mustafa dhe pastaj Avdullah Hoti. Këto janë thjesht justifikime,” shtoi Buja.

Duke u fokusuar në mbështetjen e tij, Buja theksoi se gjendja aktuale është “e jashtëzakonshme”, dhe se ka marrë një “përkrahje super të mirë” nga qytetarët dhe strukturat e partisë.

Ai është i bindur se PDK-ja do të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme, duke sjellë ndryshim të vërtetë në Lipjan.

“Besoj shumë në fitoren e Partisë Demokratike dhe në mundësinë për të sjellë zhvillim të vërtetë për Lipjanin,” përfundoi Buja, duke shtuar se do të angazhohet maksimalisht për të realizuar projekte që qytetarët presin dhe meritojnë.

Intervista e plotë: