Burjani: LDK-ja s'po arrin të ndahet prej PDK-së, Kurti nuk mund të jetë gjatë në politikë duke e quajtur veten "babë"

Burjani: LDK-ja s’po arrin të ndahet prej PDK-së, Kurti nuk mund të jetë gjatë në politikë duke e quajtur veten “babë”

Analisti politik Blerim Burjani ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ndodhet në një moment vendimtar mes mbijetesës politike dhe rikthimit në fuqinë që kishte dikur.

Sipas tij, pa ndryshime të thella strukturore dhe pa një qasje të re politike, LDK-ja rrezikon të mbetet jashtë garës serioze politike.

“E ardhmja e LDK-së qëndron në aplikimin e një strategjie të re të veprimit politik. Duhet të shqyrtohet me kujdes një veprim i ri politik për të arritur kthimin e fuqisë politike të LDK-së. Pra, në këtë situatë, LDK-ja duhet të reformohet në kryesi dhe në organet e saj qendrore.Nëse Lumiri e bën këtë në mënyrë të duhur dhe rrit elektoratin, duke e kthyer elektoratin e vet që të mos votojë më për VV-në, atëherë duhet punuar shumë më tepër me qytetarët, me të pakënaqurit, por edhe me mediat dhe marketingun politik”, thotë ai.

Burjani thekson se reforma e brendshme duhet të nisë nga kryesia dhe organet qendrore të partisë, duke u shtrirë edhe në degë dhe struktura të tjera.

Ai gjithashtu vlerëson se Vetëvendosje funksionon si parti e një njeriu të vetëm dhe se kjo e bën atë të brishtë në planin afatgjatë.

“Kjo gjendje mund të ndryshohet; pra kërkohet një strategji e re politike e veprimit në këto rrethana në të cilat gjendet LDK-ja. VV-ja është parti e një njeriu – pa Kurtin nuk ka VV. Prandaj duhet aplikuar politikë e mençur për ta zbrapsur fuqinë e një njeriu të vetëm, i cili ndodhet aty aksidentalisht. LDK-ja nuk ka një lider të vetëm, asnjë figurë tjetër lideriste ku mbështetet vetëm në një njeri; prandaj duhet të ndërtohen shumë figura politike të fuqishme brenda saj, jo vetëm një, sepse koha ndryshon. As Kurti nuk mund të jetë gjatë në politikë duke e reklamuar veten dhe duke e quajtur veten “babë”, apo siç them unë “babush””, thotë Burjani.

Duke folur për sfidat e brendshme, Burjani thekson se brenda LDK-së mungon një figurë e qartë udhëheqëse, ndërsa dilemat rreth koalicioneve të mundshme, veçanërisht me VV-në, po krijojnë paqartësi dhe pakënaqësi te elektorati tradicional i kësaj partie.

“LDK-ja ka shumë sfida brenda saj. Është vështirë të thuhet se cili prej kryesisë së saj është lideri i duhur që ka aftësi dhe prirje udhëheqëse. Lutfi Haziri dhe Hykmete Bajrami janë një mundësi, por në situatën ku gjendet LDK-ja, ku elektorati i saj e sheh vazhdimisht një koalicion të mundshëm me VV-në për ta shuar PDK-në dhe AAK-në, kjo paraqet problem”, thotë ai.

“Ka shumë elektorat të LDK-së, por edhe anëtarë të LDK-së dhe të kryesisë, që kanë qenë gjatë gjithë kohës kundër PDK-së, por nuk kanë arritur ta largojnë LDK-në prej PDK-së për vite me radhë. LDK-ja gjendet mes ekzistencës dhe kthimit në fuqinë e dikurshme. Mendoj se fokusimi i LDK-së duhet të jetë në reformën e brendshme, në kryesi, degë dhe struktura të tjera”, tha ai për GazetaBlic.

Abdixhiku: Do të ketë kryesi të re të LDK’së, demokracia maksimale kështu do të bëhet