Buxhovi: Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit ishte komplot kundër rezistencës institucionale

Me rastin e 27-vjetorit të vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, duke e cilësuar këtë akt si pjesë të një komploti të mirorganizuar kundër rezistencës institucionale të Kosovës.

Sipas Buxhovit, vrasja e kolonelit Krasniqi më 21 shtator 1998 në Tiranë, nuk ishte një incident i izoluar, por pjesë e një skeme më të gjerë për të ndarë rezistencën institucionale nga ajo e armatosur, në kohën kur po konsolidohej Qeveria e Kosovës në ekzil.

“Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit në Tiranë më 21 shtator 1998 ishte pjesë e skenarëve të huaja, që lëvizja institucionale me shtetin paralel të mos ndërlidhet me rezistencën e armatosur,” shkruan Buxhovi.

Ai rikujton se që nga fundi i vitit 1992, Qeveria e Kosovës kishte përfshirë në përbërje Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Rendit, të cilat u detyruan të pezullojnë përkohësisht veprimtarinë pas presioneve ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, Buxhovi thotë se emërimi i kolonel Ahmet Krasniqit në krye të FARK-ut nga Qeveria Bukoshi në mars të vitit 1998 dhe marrëveshja me përfaqësuesin e UÇK-së, Adem Demaçi, për bashkërendimin e rezistencës së armatosur, mobilizoi kundërshtarët e kësaj qasjeje.

“Aktivizimi i kolonel Ahmet Krasniqit mobilizoi kundërshtarët e këtij pajtimi historik deri te përmasat e komplotit për vrasjen e tij në Tiranë,” përfundon Buxhovi.