Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka certifikuar të enjten rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, brenda 30 ditëve të certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Lidhur me këtë, këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, është deklaruar.
“Seanca konstituive e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të thirret nga Presidentja Osmani brenda afatit kushtetues”, ka thënë Kupina.
Mbledhja konstituive e Kuvendit konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend.
Por, nëse kryetari i Kuvendit zgjidhet, atëherë nisin tiktaket e orës për afatet tjera.
Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.
Ndonëse as këtu nuk ekziston një afat i saktë, vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.
Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.



Të tjera
Çfarë duhet të hani për mëngjes, për të qëndruar në formë?
Bashkë na lidh ideali për shërbim ndaj Kosovës
Policia e Kosovës po forcon kapacitetet e mbrojtjes ajrore me njësi dron dhe antidron