Certifikohen 36 rekrutë të FSK-së nga radhët e komuniteteve jo shumicë

Certifikohen 36 rekrutë të FSK-së nga radhët e komuniteteve jo shumicë

Në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj është mbajtur një ceremoni solemne ku janë certifikuar 36 rekrutë nga komunitetet jo shumicë, të cilët i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës si ushtarë të rinj.

Sipas njoftimit, rekrutët e certifikuar vijnë nga komunitetet turk, ashkali, boshnjak, rom dhe egjiptas, duke reflektuar përfshirjen dhe karakterin shumëetnik të institucionit.

“Gjatë trajnimit të tyre, rekrutët kanë përfituar njohuri dhe aftësi themelore ushtarake, duke u përgatitur për të kontribuar në realizimin e misionit të FSK-së në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ky certifikim u vlerësua si një hap në forcimin e kapaciteteve të FSK-së dhe vazhdimin e ndërtimit të saj si një forcë profesionale dhe gjithëpërfshirëse.

Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së, familjarë të rekrutëve si dhe mysafirë të ftuar, të cilët përcollën nga afër këtë moment solemn./teve1.info/