“Çfarë nate, një ëndërr e bërë realitet” – Ekonomia Online

“Çfarë nate, një ëndërr e bërë realitet”

Edon Zhegrova e ka shijuar mbrëmë një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij – debutimin me fanellën e Juventusit, në “Allianz Stadium” të Torinos.

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës u inkuadrua në minutat e fundit të ndeshjes dramatike, ku bardhezinjtë arritën të riktheheshin nga disavantazhi 2-4 në një barazim spektakolar 4-4. Edhe pse në fushë më pak se 10 minuta, Zhegrova u vlerësua lart për ndikimin e tij.

Me disa lëvizje të shpejta dhe hapje të rrezikshme të lojës, ai kontribuoi në aksionet që çuan në golat e barazimit, duke bërë që tifozët e Juventusit ta cilësojnë si një “game changer”.

Pas ndeshjes, 25-vjeçari nuk e fshehu emocionin:

“Çfarë nate ta bëj debutimin tim për këtë skuadër të madhe”, shkroi ai në rrjete sociale, duke ndarë edhe disa fotografi nga momentet e para me fanellën bardhezi.

Ky debutim merr edhe më shumë rëndësi, pasi Zhegrova nuk kishte luajtur për 8 muaj për shkak të lëndimit dhe rikuperimit të gjatë. Tashmë ai po e rifiton hap pas hapi ritmin dhe besimin.

Dilema që mbetet tani është nëse tekniku i Juventusit Igor Tudor do t’i besojë një vend në formacionin titullar në ndeshjen e radhës kundër Hellas Verona, këtë fundjavë.