Gjykata Supreme e Kosovës e ka shfuqizuar tashmë dhe e ka shpallur të paligjshëm Udhëzimin Administrativ për pajisjet fiskale (Udhëzim Administrativ, NR. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë), të nënshkruar më 15 prill nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Sipas Supremes, nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë, është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Por, çfarë parashihte Udhëzimi?
Në Udhëzim cekeshin rolet e prodhuesve, zhvilluesve, shitësve të autorizuar dhe tatimpaguesve.
Udhëzimi, po ashtu, përcaktonte detyrimet e blerësit, sipas të cilave, ai duhet të mbajë kuponin e lëshuar fiskal deri në 30 metra pas largimit nga vendi i ushtrimit të aktivitetit të shitësit, në rast të ndonjë kërkese nga një zyrtar i autorizuar i ATK-së që ta tregojë atë.
Udhëzimi i detyronte të gjithë personat që bëjnë furnizime të mallrave dhe/ose shërbime për konsumatorin e fundit, pavarësisht mënyrës së pagesës, të lëshojnë kuponë fiskalë për ato furnizime në momentin e pagesës, apo furnizimit me mall apo shërbim (nëse ka dakordim mes palëve që pagesa të bëhet më vonë).
Lëshimi i kuponit fiskal parashihej edhe për ata persona, të cilët ofrojnë falas furnizime të mallrave ose shërbimeve për konsumatorin.
Udhëzimi kërkonte, po ashtu, që softueri dhe hardueri që përdoren nga shfrytëzuesi i pajisjes elektronike fiskale, të regjistroheshin dhe të raportonin transaksione në kohë reale dhe t’i dërgonin të dhënat në serverët e ATK-së.
Sipas Udhëzimit, instalimi i çdo pajisjeje fiskale nga personi i autorizuar bëhet në mënyrë që t’i pamundësojë ndryshimet në softuerin dhe harduerin origjinal të autorizuar.
Kur të jenë instaluar softueri dhe hardueri, çdo modifikim bëhet vetëm nëpërmjet teknikut të autorizuar, shpjegonte Udhëzimi.
Softuerin elektronik fiskal duhet ta instalojnë të gjithë ata që ushtrojnë veprimtari ekonomike, ashtu si edhe institucionet publike, të cilat për shërbimet e ofruara pranojnë pagesa në para të gatshme.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në ditën e nënshkrimit të Udhëzimit, shkroi në Facebook se qëllim i tij është zhvillimi i sistemit të ri softuerik, “i cili do ta reformojë komplet sistemin e arkave fiskale, duke e bërë tranzicionin në sistem digjital”.
Procesi i vendosjes së arkave fiskale në Kosovë ka filluar në vitin 2010, me qëllim të shmangies së evazionit fiskal.
Sipas të dhënave të mëhershme të Institutit Riinvest, që promovon zhvillimin modern ekonomik në Kosovë, janë 23 deri në 25 për qind e bizneseve që u shmangen obligimeve tatimore, duke i nënraportuar shitjet.
Drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Alban Hashani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë vitin e kaluar se niveli i shmangies tatimore është më i lartë te kompanitë e vogla, për shkak se edhe kontrollet te to janë më të rralla./REL
Të tjera
Meshkujt që nuk mund t’i bëjnë 10 pompa janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës
Krimi dhe politika: Zbulime nga vëllai i Dajakut për strukturat e financuara nga fondi i 3% të Bukoshit
Ushqimet që asesi nuk duhet t’i lani para gatimit