Fëmijët që janë rritur me ekrane, duan më shumë liri në botën reale.
Shpesh thuhet se arsyeja pse fëmijët kalojnë aq shumë kohë në telefona është se telefonat e mençur dhe rrjetet sociale i bëjnë të varur. Por një studim i ri tregon se kjo është vetëm pjesë e historisë, ka raportuar The Atlantic.
Në muajin mars, Harris Poll pyeti më shumë se 500 fëmijë amerikanë të moshës 8 deri 12 vjeç, duke u garantuar privatësi. Rezultatet treguan se shumica kishin telefona dhe rreth gjysma e fëmijëve 10-12 vjeç thanë se miqtë e tyre përdorin rregullisht rrjete sociale.
Ndërkohë që në botën virtuale ata lëvizin lirshëm, në botën reale liria e tyre është shumë e kufizuar.
Pothuajse të gjithë fëmijët thanë se nuk lejohen të dalin vetëm në publik pa dikë të rritur. Më pak se gjysma e 8-9 vjeçarëve kishin shkuar ndonjëherë vetëm në një korridor të supermarketit, dhe më shumë se një e katërta nuk lejohen të luajnë as në oborrin e shtëpisë pa mbikëqyrje.
Megjithatë, kur u pyetën si do të donin ta kalonin kohën me miqtë, fëmijët zgjodhën lojën e lirë, pa ekrane dhe pa mbikëqyrjen e prindërve.
“Sepse prindërit u kufizojnë mundësitë për t’u socializuar në botën reale, fëmijët detyrohen të përdorin telefonat, e vetmja mënyrë për të qenë me miqtë pa të rriturit përreth”, kanë deklaruar autorët e studimit.
Prindërit shpesh frikësohen. Një tjetër sondazh ka treguar se 60 për qind e prindërve besojnë se nëse dy 10-vjeçarë luajnë vetëm në park, ata rrezikojnë të lëndohen, dhe gjysma mendojnë se mund të rrëmbehen.
“Rrëmbimi i fëmijëve nga të panjohurit është tepër i rrallë në SHBA, sa një fëmijë do të duhej të ishte jashtë pa mbikëqyrje mesatarisht 750,000 vjet që t’i ndodhte kjo”, ka thënë Warwick Cairns, autor i librit “How to Live Dangerously”
Megjithatë, mungesa e kësaj lirie reale ka pasoja serioze. Fëmijët humbin mundësinë të zhvillojnë aftësi, besim dhe të përballojnë problemet e përditshme. Prandaj, nuk është rastësi që ndërsa pavarësia e tyre ka rënë, ankthi dhe depresioni janë rritur.
Në vend të lojërave spontane si dikur, fëmijët sot kalojnë nga një aktivitet i organizuar te tjetri, duke u “transportuar” dhe mbikëqyrur në çdo hap. Një fëmijëri e tillë e mbushur me struktura dhe ekrane ka krijuar, siç shkruajnë autorët, një gjeneratë “të lodhur, të shqetësuar dhe të mbyllur”.
Megjithatë ka edhe shembuj pozitivë.
Në Piedmont, Kaliforni, prindërit filluan t’i lënë fëmijët e tyre në park çdo të premte për të luajtur të lirë. Ndonjëherë fëmijët mërziten ose zihen mes vete, por siç theksojnë ekspertët, kjo është gjë e mirë, sepse mësimi për t’u përballur me mërzinë dhe konfliktin është i rëndësishëm për zhvillimin.
Organizata Let Grow ka sjellë program ku nxënësit marrin “detyrë shtëpie” një herë në muaj: të bëjnë diçka vetë, pa ndihmën e prindërve.
“Ky ishte projekti im i parë ‘Let it grow’. Shkova vetë për pazar. Ia dola mirë edhe pse te kasa ishte pak vështirë, por ishte argëtuese. Mësova që jam e guximshme dhe mund të shkoj vetë. E pëlqeva shumë projektin tim”, ka shkruar një nxënëse e klasës së katërt.
Sondazhi i Harris Poll ka treguar qartë se gati tri të katërtat e fëmijëve thanë se do të kalonin më pak kohë në internet, nëse do të kishin më shumë miq në lagje për të luajtur me ta personalisht.
“Fëmijët që janë rritur me ekrane ndihen sikur janë nostalgjikë për një botë që nuk e kanë njohur kurrë. Ata ende duan të jetojnë fëmijërinë e tyre në botën reale. Detyra jonë është t’ua kthejmë atë”, thuhet në raportin e studimit.
Të tjera
Kosova nis kampanjën për Botëror me humbje të hidhur në Zvicër
Bashkimi Evropian gjobit Google me afro 3 miliardë
Zgjedhjet e 12 tetorit, kjo është lista e subjekteve politike dhe kandidatëve të certifikuar