Osmani përfundoi konsultimet me partitë politike, data e zgjedhjeve lokale caktohet ditëve në vijim
Ka përfunduar takimi i presidentes Vjosa Osmani me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.
Presidenca bën të ditur se gjatë takimit, Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike.
Në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, Osmani do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Kjo është data e preferuar për zgjedhjet lokale për Ramush Haradinaj
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, sot në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani ka propozuar që zgjedhjet lokale në Kosovë të mbahen më 12 tetor 2025.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore.
“Shpresoj që presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të përfillë këtë propozim”, ka shkruar ai, raporton KosovaPress.
Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur sot takim me liderët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta lokale. Në takim nuk morën pjesë Albin Kurti si kryetar i Vetëvendosjes, dhe në vend të tij ishte Albulena Haxhiu, nënkryetare e kësaj partie.
Krasniqi: Është e vështirë mbajtja e zgjedhjeve nacionale në të njëjtën datë me ato lokale
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet lokale duhet të mbahen në afatin kushtetues sa më të afërt.
Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani mbi caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, Krasniqi kritikoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti që nuk mori pjesë në këtë takim, derisa tha se vetëm ai dhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek nuk morën pjesë.
Ai e konsideroi fajtore Vetëvendosjen për krizën politike më vend, derisa shtoi se është e vështirë mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në të njëjtën datë me atë lokale.
Cilat janë datat e mundshme për zgjedhjet lokale, flet Albulena Haxhiu
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas takimit me konsultativ të presidentes Vjosa Osmani me partitë politike, tha se 5, 12 dhe 19 tetori janë opsionale për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Ajo kërkoi nga presidentja Osmani që të shpallë sa më shpejt datën e zgjedhjeve lokale, raporton KosovaPress.
Madje sipas saj është e mundur që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen të njëjtën datë me zgjedhjet lokale.
Mblidhen liderët partiakë, priten nga presidentja
Përfaqësuesit e partive politike në vend, kanë arritur në hapësirat e presidencës, për t’u takuar me të parën e vendit, Vjosa Osmani.
Ajo ftoi liderët partiakë, për të diskutuar mbi planet e zgjedhjeve lokale, por siç u raportua edhe gjatë ditës, temë mbetet edhe ngërçi aktual me konstituimin.
Abdixhiku për takimin me Osmanin: Do të caktohet data e zgjedhjeve lokale
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur rreth takimit që është thirrur të mbahet nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike.
Në një paraqitje para mediave, ai ka thënë se do të flasin vetëm për caktim të datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
“Do të caktohet data e zgjedhjeve lokale kjo ishte tema e diskutimit. Jo, jo vetëm për lokale do të ketë”, ka thënë Abdxhiku.
Osmani do të presë në takim liderët duke filluar nga ora 14:00.
Osmani diskuton sot me partitë për datën e zgjedhjeve lokale, takimi në ora 14:00
Presidenca ka njoftuar për agjendën që do të ketë sot presidentja Vjosa Osmani.
Duke njoftuar se kjo e fundit do të mbajë një takim të përbashkët konsultativ me partitë politike lidhur me caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Takimi do të zhvillohet sot nga ora 14:00, në objektin e Kuvendit të Kosovës, në sallën C301.
Në njoftim theksohet edhe se pas takimit do të ketë komunikatë për media.
Të tjera
Punonjësit e Microsoft-it protestojnë kundër kompanisë për lidhjet me luftën e Izraelit në Gaza
Dogana sekuestron cigare, duhan e produkte ushqimore të kontrabanduara në Mitrovicë e Prishtinë
Kualifikueset e Botërorit 2026, programi i Kombëtares së Shqipërisë për shtator