Çitaku kundër seancës: “PDK nuk bëhet pjesë e paligjshmërisë”

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka njoftuar se PDK nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme e cila pritet të fillojë nga ora 11:00.

Ajo në një konferencë për media tha PDK është për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

“PDK nuk do të jetë pjesë e një seance të paligjshme. Nuk do të bëhemi fasadë për mbulimin e dështimeve të të tjerëve. Sepse kjo seancë nuk është thirrur për qytetarët. Nuk është thirrur për ligjet. As për komisionet. Kjo seancë është thirrur për t’i shpëtuar fajit, fajit të një pushteti që për 10 muaj rresht ka refuzuar të marrë vendime, të ndërtojë dialog, të krijojë shumicë dhe të formojë qeveri. Thirrjet për të shkelur ligjin nuk janë zgjidhje. As për vendin, as për Kuvendin, as për demokracinë tonë. Ato janë derë e hapur për kaos. Janë precedentë të rrezikshëm që dëmtojnë themelet e shtetit ligjor”, ka theksuar ajo.

Çitaku ka thënë se seanca e jashtëzakonshme për buxhetin e thirrur për në orën 11:00, është një skemë e radhës e Qeverisë në ikje siç tha ajo për të mbuluar krizën në të cilën po e fusin vendin, si dhe është e paligjshme dhe tërësisht në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Ajo ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka zgjedhur ta përdorë fitoren “jo për të qeverisur, por për të zvarritur, për të manipuluar proceset dhe për të konsumuar çdo afat ligjor, në mënyrë që të shmangë përgjegjësinë që ka ndaj qytetarëve”.

“E përsëris: kjo seancë që do të mbahet pas pak minutash, është farsë. Është truk politik. Nuk është zgjidhje, është tentim për të mbuluar dështimin. Ajo që po shohim sot është e dukshme: Kur vjen puna për të formuar institucionet: zvarritje, pasiguri dhe manipulim afatesh nga LVV. Por kur vjen puna për t’i ikur përgjegjësisë: nxitim i çuditshëm, madje duke shkelur rendin kushtetues”, ka thënë Çitaku më tej.