Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur dëshminë ish-komandanti i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i cili po dëshmon si dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Hashim Thaçit.

Gjatë fjalës së tij të parë para trupit gjykues, Clark përshkroi situatën në Kosovë gjatë viteve të luftës, duke rrëfyer episode nga kontaktet e tij me zyrtarë shqiptarë dhe amerikanë.

“Ka qenë një periudhë e dhimbshme, sepse më kujtohet në një pikë, një brigadier nga ushtria shqiptare erdhi për t’u takuar me mua. Më tha shikoje se si është situata në Kosovë. Ndërkohë ne shikonim se cila ishte rrethana, sepse në fakt po hidhnin mortaja, bomba dhe po luftonin në të gjitha format e mundshme në fshatrat shqiptare”, tha Clark.

“Unë mendova se e dija se çfarë duhej bërë në këto kushte, por sipas procedurave të NATO-s nuk kishim asnjë autoritet, nuk kishte udhëzime politike, nuk kishte plane konkrete. Fola me sekretarin amerikan të shtetit për këtë”, deklaroi ai.

Clark tregoi edhe për përpjekjet diplomatike për të kontaktuar Sllobodan Millosheviqin, të cilat, sipas tij dështuan.

Në vijim, ai rrëfeu se si kishte udhëtuar në Maqedoni në ditët e para të marsit për të inspektuar një Task-Forcë amerikane dhe si ishte informuar për vrasjen e familjes Jashari.

“Menjëherë më merr në telefon ambasadori amerikan në Shkup, Chris Hill, dhe më thotë se duhej të flisja me presidentin e Maqedonisë. Kisha dëgjuar raporte se ishte vrarë familja e Jasharajve”, tha Clark, duke shtuar se presidenti maqedonas atë kohë Kiro Gligorov, e kishte paralajmëruar për pasojat.