Sezoni i ndarjes së çmimeve po nis, të paktën kur bëhet fjalë për çmime që kanë peshë të madhe politike.
Të gjithë sytë, sigurisht, do të drejtohen nga Komiteti Norvegjez i Nobelit kur më 10 tetor të shpallë fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, veçanërisht duke pasur parasysh se disa shtete e kanë nominuar presidentin amerikan, Donald Trump, për këtë çmim.
Por, këtë vjeshtë shpallet edhe një çmim tjetër i rëndësishëm, Çmimi vjetor Sakharov për Lirinë e Mendimit, që është çmimi më i lartë për të drejtat e njeriut i Bashkimit Evropian.
Përderisa presidenti amerikan nuk është propozuar për këtë çmim, që ka një vlerë monetare prej 50.000 eurosh, shumë individë dhe organizata nga zonat që i mbulon Radio Evropa e Lirë janë nominuar, përfshirë studentët protestues serbë, Parada e Krenarisë në Budapest, gazetari polako-bjellorus, Andrzej Poczobut, gazetarja gjeorgjiane Mzia Amaglobeli së bashku me lëvizjen prodemokracisë në shtetin e saj.
Ata garojnë me të nominuar të tjerë, sikurse gazetarët palestinezë dhe punonjës të ndihmës, dhe po ashtu janë në garë kundër aktivistit konservator, Charlie Kirk, i cili u vra së fundi.
Manovrat politike
Çmimi menaxhohet në tërësi nga Parlamenti Evropian.
I krijuar më 1988 për nder të shkencëtarit dhe disidentit rus, Andrei Sakharov, ai u shndërrua në një nga mjetet kryesore të raporteve me publikun të këtij organi, me regjime shtypëse që shpesh reagojnë ashpër ndaj ligjvënësve evropianë për disa nominime apo fitues të këtij çmimi.
Nuk është e pazakontë që fituesit e Çmimit Sakharov më pas të fitojnë Çmimin Nobel për Paqe. Si shembull në këtë drejtim mund të përmendet aktivistja pakistaneze për arsim, Malala Yousafzai dhe humanisti kongolez, Denis Mukwege.
Nominimet – të cilat këtë vit zyrtarisht prezantohen më 23 shtator në një seancë të përbashkët të komiteteve për çështje të jashtme, zhvillim dhe të drejtat e njeriut të Parlamentit Evropian – zakonisht propozohen nga grupe të ndryshme politike në PE ose nga të paktën 40 anëtarët e Parlamentit.
Afati për nominimet përfundoi javën e kaluar dhe grupet veçse kanë treguar se kë kanë nominuar.
Prandaj, ngjarja e 23 shtatorit në thelb është një mundësi për grupet që të prezantojnë të nominuarit e tyre, sepse manovrat politike mbi atë se cili nga tre kandidatët do të përfshihen në listën përfundimtare – dhe kush në fund do të shpallet fitues – fillojnë tani.
Dhe, këto me të vërtetë janë manovra politike.
Lojë numrash
Edhe madhësia ka rëndësi. Lista e ngushtë përpilohet më 16 tetor të këtij viti, kur anëtarët e komiteteve për çështjet e jashtme dhe zhvillim të Parlamentit Evropian do të zhvillojnë një votim të fshehtë për kandidatin e tyre të preferuar.
Rregulli është një anëtar, një votë dhe tre kandidatët që marrin më së shumti mbështetje janë ata që përfshihen në listën e ngushtë.
Pasi që votimi është i fshehtë, askush nuk e tregon zyrtarisht rezultati përfundimtar, por mediat zakonisht arrijnë të sigurojnë shifrat dhe rëndom gara është shumë e ngushtë, me më pak se disa vota që përcaktojnë treshen finale.
Të tjera
Gjërat që çiftet e lumtura bëjnë çdo ditë
Policia serbe bastis shtëpinë e zyrtarit të AAK-së në Tërnoc
Pesë maska për fytyrën që mund t’i përgatisni fare thjeshtë