Christian Collins, themelues dhe organizator i Samitit të Rinisë në Teksas, në një intervistë ekskluzive për Info Magazine në Klan Kosova, ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së historikisht, por specifikisht gjatë administratës së tanishme Trump.
Në këtë bisedë, ai ka treguar se ka pasur rastin ta takojë presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë, ndërsa tha se e ka ftuar të njëjtën të jetë pjesë e Samitit të vitit të ardhshëm.
Ndër të tjera, ai tha se ka takuar shumë shqiptarë të Kosovës, për të cilët tha se janë shumë mikpritës.
Duke folur për raportet Kosovë-ShBA, Collins tha se janë shumë të forta gjatë kësaj administrate amerikane.
Marrëdhëniet Kosovë-ShBA janë “shumë të forta dhe ndjej se sipas kuptimit tim dhe studimeve që kam bërë, kanë qenë më të forta në këtë administratë të Trumpit, dhe njerëzit e kuptojnë se kur Amerika është e fortë dhe keni një kryekomandant që është përgjegjës dhe i cili mendon atë që e thotë, flet qartë, dhe njerëzit e kuptojnë se nëse ai thotë diçka, ai ka për ta bërë atë”.
“Dhe këtë nuk e kishit me administratën e mëparshme të Joe Bidenit. E kuptoj se Kosova ka qenë e bekuar të ketë bashkëpunuar me demokratët dhe republikanët, por republikanët janë më të fortë dhe presidenti Trump është më i forti prej të gjithëve”, deklaroi Collins, raporton Klankosova.tv.
Ai tha se e konsideron veten si aleat të Kosovës dhe se do të bëjë gjithçka për të avokuar për popullin e Kosovës.
“Të rinjtë amerikanë tha se duhet ta kuptojnë se ne kemi aleatë të shkëlqyer në këtë botë dhe Kosova është më e mira prej tyre”, theksoi ai.
Collins tha se Donald Trump Jr. i ka ndihmuar ata shumë që Samitin ta ngrisin në një nivel më të lartë.
“Ai është ambasador i përkryer për babanë e tij, për Donald Trumpin. Atij i pëlqen të dalë në gjueti, dhe nëse doni ta bindni të vijë në Kosovë, atij i pëlqen të dalë në gjueti dhe të dalë në natyrë, është i shkëlqyeshëm”, u shpreh Collins.
Tutje, ai tha se liderët e Kosovës kanë mbajtur biseda të rëndësishme me Administratën e Trumpit, në disa raste.
“Administrata e Trumpit jam mëse i bindur se e kupton rëndësinë e një Kosove të fuqishme, dhe kjo e cakton tonin në këtë rajon. Duhet ndikim amerikan në rjaon, dhe Kosova është një vend shumë i rëndësishëm”, deklaroi ai.
“Mendoj se ka shumë gjëra që po zhvillohen në botë, lufta Ukrainë-Rusi, dhe kjo ndoshta është në majat e listës, por për sa i përket politikës së jashtme lidhur me këtë rajon, ata natyrisht se e trajtojnë edhe Venezuelën, merren me Kubën, Hamasin, Hezbollahun, natyrisht edhe me Iranin, gjithsesi ka çështje shumë të rëndësishme, por e kuptojnë se kujdesi ndaj aleatëve… dhe mendoj se marrëdhënia jonë është e fortë”, theksoi Christian Collins, themelues dhe organizator i Samitit të Rinisë në Teksas.
Ai u ndal edhe te Bordi i Paqes, iniciativë kjo e nisur nga presidenti Trump, e ku si shtet themelues është edhe Kosova.
“Kosova dhe Shqipëria ishin dy vendet e para që kanë nënshkruar këtë, përderisa të tjerat mendohen për këtë. kjo thjesht tregon solidaritetin që Kosova ka ndaj presidentit dhe ShBA-së, dhe i jemi falënderues për këtë”, tha Collins.
I pyetur nëse gjatë presidencës aktuale, Trumpi do të vizitojë Ballkanin, Collins tha: “Mendoj se ai do të mund ta bënte”.



Të tjera
Tayna publikon fotografi me Vjosa Osmanin: Presidentja e shtetit dhe presidentja e skenës
Gjumi gjatë ditës ka efekt pozitiv për zemrën, trurin dhe zvogëlon stresin
“Nuk kemi folur për koalicione – jemi të gatshëm të flasin për Presidentin”, thotë Abdixhiku