Covey mohon të ketë parë diçka që të besonte se Thaçi po përpiqej të merrte pushtet duke kryer krime kundër kundërshtarëve

Diplomati James Peter Covey gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të enjten mohoi se ka parë ndonjë gjë që do ta bënte të besojë ose mendojë që Hashim Thaçi po përpiqej që të merrte pushtetin në përmes apo duke kryer krime kundër kundërshtarëve të tij, qoftë personalisht ose me anë të pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së që kryenin këto krime në interes të tij.

Covey tha se shumë shpejt kanë arritur në vlerësimet se ai nuk kishte autoritet të tillë personal, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Jo, dhe mendoj që shumë shpejt kemi arritë në vlerësime se ai nuk e kishte autoritetin personal për të bërë që dikush tjetër të bënte një gjë të tillë. Për më tepër, unë dhe ne arritëm në këtë përfundim se ai dinte se nuk e kishte këtë pushtet dhe këtë fuqi”, tha Covey.

Për Thaçin, Covey tha se e krijoi karrierën hap pas hapi, si dhe duke punuar me UNMIK-un dhe institucionet ndërkombëtare.

Me kaq përfundoi pyetjet avokati Luka Mishetiq për këtë dëshmitar dhe seanca kaloi në pushim për 10 minuta.