Covey: Sipas burimeve nga KFOR-i, Daut Haradinaj sulmoi mbrojtjen e Ibrahim Rugovës

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Covey tregoi se sipas burimeve nga KFOR-i, kishte dëgjuar se pjesëtarët e mbrojtjes së Ibrahim Rugovës ishin vrarë dhe se për këtë sulm përgjegjës ishte Daut Haradinaj.

“Nga bisedat me Bernard Kouchner dhe nga ajo që kemi mësuar nga burimet e KFOR-it më vonë, ne e kuptuam që të gjithë truprojat e tij ishin vrarë pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flas unë në mënyrën e duhur pasi unë nuk jam informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. KFOR-i besonte që vëllai i Ramushit, Daut Haradinajn ishte përgjegjës për këtë sulm”, tha Covey.

Dëshmitari tha se në atë kohë nuk kanë pasur dijeni për këtë dhe kanë mësuar shumë më vonë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Covey tha se e di që Daut Haradinaj ka qenë pjesë e UÇK-së.

“Megjithatë, më lejoni të shtoj se në atë moment me datë 16 nuk kishim dijeni se ku ndodhej zoti Rugova vetëm se ai nuk ishte i pranishëm dhe mbase nuk ndodhej fare në Kosovë”, tha dëshmitari.

Ai theksoi se në ditët në vazhdim, LDK-ja dukej pa udhëheqje dhe e ndarë, dukej se nuk arrinte dot konsensus që t’i mundësonte të merrte pjesë në Komitet.

Dëshmitari Covey deklaroi se mendon që LDK-ja ka marrë pjesë në Qeverinë e Përkohshme. Këtë organ e quajti si “të fantazisë” pasi që nuk u funksionalizua me funksione ekzekutive.

Dëshmitari ka treguar se ka pasur tensione në mes LDK-së dhe UÇK-së. Ndërsa, gjyqtari Christoph Barthe e pyeti nëse këto tensione kanë bërë që Rugova të mos kthehej dot në Kosovë.

“Më kalimin e kohës mësuam përmes Bernard Kouchner që shkoi e takoi. Ai ishte me depresion klinik pavarësisht se unë nuk jam mjek. Kishte frikë për sigurinë e tij personale dhe Bernard më shpjegoi mua që përpjekjet e tij kishin të bënin me bindjen e Rugovës se nëse vendoste të kthehej, siguria e tij do të ishte e siguruar. Kjo ishte një sfidë pasi që KFOR-i nuk mundej që të siguronte mbrojtjen e tij personale, por mund të siguronte zonën përreth tij”, tha ai.

Covey tha se Rugova u kthye pas këtyre sigurive pavarësisht nëse e ka kuptuar këtë në këtë mënyrë ose jo.

Më pas, dëshmitari u pyet se nga çfarë kishte frikë Ibrahim Rugova, dhe kjo duke u bazuar nga biseda me Kouchner. Si rrjedhojë e kësaj, dëshmitari foli për sulmin e pretenduar nga Daut Haradinaj.