Aktori dhe shkrimtari i njohur Çun Lajçi ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook një moment të veçantë të jetës personale dhe artistike, duke shprehur gëzimin për një dhuratë të jashtëzakonshme që ka marrë.
Në postimin e tij, Lajçi tregon se një grup bamirësish nga Gjilani, pjesë e komunitetit të Zymberive që jetojnë dhe punojnë në Cyrih, i kanë dhuruar një veturë “Benz” (natyrisht e përdorur), për ta lehtësuar në udhëtimet e tij nëpër qytetet e atdheut me kuferin plot libra dhe mall për lexuesit.
“Thonë: Idhnimin e gëzimin ndaj miqve: i pari tretet si hije në diell, e i dyti rritet si kangë në zemër! Sot gëzimin tim po e ndaj me ju, që s’e kursyet respektin ndaj meje e librat e mi i morët si dhanti shpirti,” shkruan aktori.
Çun Lajçi e ka përshkruar dhuratën si një “kurorë mbi 50 vjet krijimtari dhe 79 vjet jetë”, një shenjë se malli dhe fjala e artit nuk plaken kurrë. Ai falënderoi publikisht Jasharin dhe Nexhatin për bamirësinë e tyre, duke u lutur që drita e mirëdashësisë së tyre të mos shuhet kurrë.
“Faleminderit Jashar, faleminderit Nexhat! Bamirësia juaj u shndrit si dritë dhe mos u harroftë kurrë, e Zoti kurrë mos ua ngushtoftë as zemrën as sofrën!” përfundon aktori.
Ky moment tregon jo vetëm lidhjen e ngushtë mes artistëve dhe ndjekësve të tyre, por edhe respektin e madh që shoqëria ka për figurat kulturore dhe për librin si trashëgimi të përjetshme.



Të tjera
Ushqimet që duhet t’i ketë fëmija në çantë
NATO që dy vite kërkon që sulmuesit e Banjskës të sillen para drejtësisë
Njerëzit që harrojnë shpesh janë më inteligjentë