​Daut Haradinaj tregon votën e AAK-së

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka insistuar se partia e tij do të mbajë qëndrimin e saj të qartë lidhur me vazhdimin e seancës parlamentare dhe votimin për kryeparlamentarin.

Në një deklaratë për media, Haradinaj ka thënë se ata presin vendimin e partisë që ka marrë mandatin kushtetues për të udhëhequr seancën.

Ai ka theksuar se, nëse seanca do të vijojë ashtu si në herën e kaluar, vota e AAK-së do të jetë kundër.

Haradinaj: Ne kemi bërë publik emrat

Në seancën e së shtunës, në pikën e tretë të rendit të ditës, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, deputeti Glauk Konjufca propozoi për kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu.

Në dy procedura votimi, për kandidaturën e paraqitur votuan 57 deputetë, ndërsa kryesuesi Avni Dehari konstatoi se propozimi nuk kalon dhe në këto rrethana njoftoi për ndërprerjen e seancës së 19 prillit, duke paralajmëruar vazhdimin e saj për sot.

Vetëvendosje ka paralajmëruar se Albulena Haxhiu sërish do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit.