Debat në KPK: anëtari kritikon se prokurorët po shpërndahen pa analizë nëpër Prokurori, kryesuesi e quan të pavërtetë

Në mbledhjen e 267-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u zhvillua një debat midis anëtarit të këtij Këshilli, Visar Krasniqi dhe kryesuesit Ardian Hajdaraj.

Anëtari i Këshillit, Visar Krasniqi tha se shpërndarja e prokurorëve të rinj po bëhet pa analizë të mirëfilltë.

“Duhet me qenë edhe vetëkritik, sepse kur po rekrutohet dhe caktohet prokurori nuk po bëhet analizë e mirëfilltë. Pajtohem se ka mungesë të prokurorëve. E kam thanë kudo që më është dhënë mundësia, por edhe Këshilli të bartë përgjegjësinë, sepse shpërndarja duhet me qenë dhe me i pas në fokus ata që kanë ngarkesë si Prokurori”, tha Krasniqi.

Por, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj reagoi ndaj këtij diskutimi të prokurorit Krasniqi, duke theksuar se nuk është e vërtetë se nuk ka analizë të mirëfilltë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e 267-të vendosi që Raporti i punës për Prokurorin e Shtetit i vitit 2024 të publikohet në ueb-faqe, por jo i plotë, pa u publikuar raportet për të dhënat individuale për secilin prokuror, derisa të sqarohen paqartësitë.

Për këtë rrethanë, e kërkoi fjalën anëtari i Këshillit Prokurorial Krasniqi, por se nuk iu lejua nga kryesueisei i këtij këshilli Hajdaraj të diskutojë.

Paraprakisht, vetë ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi propozoi që pjesa individuale e të dhënave për secilin prokuror të diskutohet me dyer të mbyllura pasi që lidhet edhe me vlerësimin e performancës.