Gjatë luftës së fundit në Kosovë, objektet e kultit dhe ato të trashëgimisë kulturore u bënë shënjestër e drejtpërdrejtë e forcave serbe. Nga gjithsej 218 xhami të djegura e të shkatërruara në vitet 1998/1999, 13 prej tyre ndodheshin vetëm në komunat e Deçanit dhe Junikut.
Pavarësisht këtyre dëmeve masive, deri më sot nuk është kërkuar asnjë përgjegjësi penale për autorët e shkatërrimeve. Ndërkohë, me ardhjen e nëntorit, institucionet lokale dhe komuniteti fetar po rikthejnë vëmendjen te kujtesa e luftës dhe krimet ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në kuadër të aktiviteteve të nëntorit, Komuna e Deçanit dhe Dega e Bashkësisë Islame në Deçan organizuan një tryezë shkencore me studiues dhe përfaqësues të institucioneve fetare. Qëllimi ishte ruajtja e kujtesës dhe dokumentimi i shkatërrimeve që u kryen ndaj xhamive, objekteve të kultit dhe vlerave të trashëgimisë në këtë rajon.
Naser Tolaj, kryetar i Degës së Bashkësisë Islame në Deçan, theksoi se xhamitë e shkatërruara janë një dëshmi e dhimbjes kolektive.
“Xhamitë e djegura nuk përfaqësojnë vetëm objekte të rrënuara, por mbartin historinë e rezistencës, besimit dhe përkushtimit të një populli që nuk u dorëzua kurrë përballë dhunës së Serbisë”, tha ai.
Edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kujtoi historinë e errët të shtypjes. “Fati ynë i keq ishte përballja me një shtet okupator që nuk na ka konsideruar njerëz, as nuk ka pasur respekt për historinë, kulturën apo besimin tonë”, tha ai.
Kryeimami i Kosovës, Vedat Efendi Sahiti, nënvizoi se shkatërrimet ishin të qëllimshme, me synim dobësimin e kujtesës kolektive. “Armiku shkatërroi xhami, kulla, mejtepe e varreza për të thyer shpirtin e popullit tonë rezistues, por nuk ia arriti kurrë”, tha ai.
Studiuesi Prof. dr. Selim Bezera e cilësoi këtë shkatërrim pjesë të një strategjie të spastrimit kulturor. “Nuk ishte thjesht dëmtim prone fetare, por një përpjekje e planifikuar për dobësimin e identitetit kombëtar. Megjithatë, rindërtimi pas luftës dëshmoi se identiteti kulturor është më i fortë se dhuna”, tha Bezera.
Në kuadër të aktivitetit u hap edhe ekspozita me fotografi “Krimet serbe ndaj trashëgimisë kulturore në komunat e Deçanit dhe Junikut”, e cila dokumenton dëmet e mëdha të shkaktuara mbi objektet fetare dhe kulturore në këto dy komuna.
Kjo ngjarje synon të rikujtojë se, edhe pas më shumë se dy dekadash, drejtësia për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Kosovë mbetet ende e pakryer./rtk



Të tjera
Ushqimet më të pasura me antioksidantë, të cilat ju ndihmojnë të bini nga pesha
Pirja e duhanit shkakton dhimbjen e shpinës
Si të ndaloni së ngrëni thonjtë