“Dëgjova britma”, filipinasja dyshohet se ndihmoi djalin të zhdukte trupin e shqiptares në Itali

Hetimi për vrasjen e Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare që studionte në Romë, ka hyrë në një fazë të re. Pas rrëfimit të ish të dashurit të saj, Antony Mark Samson, 23 vjeç, i cili ka pranuar se e ka vrarë me thikë gjatë një debati në banesë, autoritetet italiane kanë vendosur të hetojnë edhe nënën e tij.

Sipas burimeve të “LaPresse”, nëna e Samsonit është përfshirë në listën e të dyshuarve për bashkëpunim në fshehjen e kufomës.

Ajo ka ndërhyrë menjëherë pas krimit, pasi ka dëgjuar britmat e vajzës dhe e ka parë trupin e pajetë në dhomën e gjumit.
Në vend që të lajmëronte autoritetet, dyshohet se ajo ka ndihmuar të birin në pastrimin e skenës së krimit në apartamentin në via Homs, në lagjen afrikane të Romës, shkruan A2.

Nëna e Samsonit do të merret në pyetje ditën e sotme. Qëllimi i hetimit është të sqarojë saktësisht çfarë ndodhi në orët e pas krimit dhe kush tjetër mund të ketë qenë i përfshirë në fshehjen e provave.

Trupi i Ilaria Sulës, e zhdukur më 25 mars, u gjet natën mes 1 dhe 2 prillit brenda nje valixheje e hedhur në një shkëmb në një zonë pyjore në Poli. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, ndërsa hetimet vazhdojnë.