Gjenerali Wesley Clark për deklaratën e tij se gabimet e tjerëve nuk duhet t’i atribuohen Hashim Thaçit, tha se e ka thënë për shkak se nuk mendon që tani i akuzuari ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë kryer akte dhune.
Ai gjithashtu tha se nuk është e qartë nëse dhuna ishte kryer nga UÇK-ja. Por, edhe nëse do ishte kështu, sipas Clark është realizuar nga individë të caktuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Unë nuk mendoj se zoti Thaçi ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë bërë akte të tilla. Së pari, nuk është e qartë që dhuna ishte kryer nga UÇK-ja. Edhe po të ishte kështu, ajo është realizuar nga individë të caktuar”, deklaroi Clark.
Clark theksoi se edhe po të ketë qenë UÇK-ja e përfshirë në këtë dhunë, askush s’kishte mekanizëm kontrolli mbi atë se çfarë po ndodhte në terren.
Clark shtoi se njerëzit ishin në rezistencë për shkak se dëshironin të shpëtonin jetët e tyre.
“Diku nga mesi i prillit, pilotët tanë fluturonin mbi Kosovë panë një rresht me traktor afër Drenicës që ishte mbushur me persona. Pra, avionët ishin shumë larg dhe po shikonin me dylbi dhe panë traktorë me persona që ndalonin në disa shtëpi dhe po u vendosnin flakën këtyre shtëpive dhe filluam të vrisnin mendjen atëherë se çfarë po ndodhë. Ky piloti filloi të sulmonte traktorët sepse mendonte se këta ishin serbë që po sulmonte shqiptarët. Pra, avioni goditi traktorët. Të nesërmen, Millosheviqi i kërkoi shtypit ndërkombëtar të shikonte vendngjarjen dhe e kuptuan që këta ishin njerëz të thjeshtë që i vranë forcat tona ajrore”, tha Clark.
Clark tha se kryen hetim dhe se pilotët u lënduan pas ballafaqimit me faktet.
Përveç kësaj, ai tha se kishte takuar para disa vitesh dikë në aeroport, e që i kishte thënë se ka qenë në njërin prej atyre traktorëve. Madje, ai i kishte thënë Clark se i digjnin pronat e tyre për të mos ua lënë në dorë serbëve.
“Dhe shumë vite pas njerëzit me takojnë, shqiptarët me ndalojnë në rrugë dhe duan të flasin me mua. Para dy-tre viteve, takova dikë në aeroport që më tha që kam qenë edhe unë në njërin nga ata traktorë dhe unë i thash ‘ke qenë në traktor në Drenicë kur iu sulmoi A10?”, ai u përgjigj me ‘po’. Unë e pyeta se pse po ua vendosnit flakën shtëpive dhe ai u përgjigj se na po ua vendosnim flakën shtëpive sepse ne e dinim që po vinin t’i merrnin serbët dhe preferuam t’i digjnim sesa t’ua linim serbëve. Kjo tregon se sa të forta ishin ndjenjat, se sa ishin të zemëruar, mllefosur e sa të frikësuar. Duhet kuptuar se si ka qenë situata dhe çfarë ndjenin personat në terren në Kosovë. Të trembur por edhe të vendosur po ashtu. Të gatshëm të digjnin pronat e tyre dhe të mos ua linin në dorë serbëve”, tha Clark.
Me kaq përfundoi pyetjet mbrojtja e Thaçit për të vazhduar më pas me atë të Kadri Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.



Të tjera
Tërnava mbikëqyr punimet për ndërtimin e Xhamisë Qendrore: Po ecin sipas planit
Eurodeputeti austriak kërkon heqjen urgjente të masave ndaj Kosovës: BE-ja nuk e sanksionoi Vuçiqin, por Kosovën
Sa më shumë vjet që kemi, aq më shumë shtojmë peshë, si të veprojmë?