Deklarata e Vuçiçit për luftë, paralajmërim apo frikësim politik? – Tali shpjegon prapaskenat

Të premten, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se “të gjithë po përgatiten për luftë”, duke përmendur në mënyrë të veçantë edhe Kosovën.

Kjo deklaratë ka ngritur reagime të shumta në opinionin publik dhe mes analistëve politikë, të cilët e shohin si pjesë të strategjisë së vjetër të Beogradit për të krijuar tensione në rajon.

Ai ka thënë se: “E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet, ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po gërmojnë llogoret e tyre dhe po e presin fillimin”, ka deklaruar Vuçiq.

Analisti Driton Tali, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se deklarata e Vuçiçit mund të ketë dy qëllime — frikësimin e qytetarëve serbë para protestës së 1 nëntorit dhe shfrytëzimin e tensioneve të rritura nga provokimet ruse për ndonjë veprim në Bosnje apo Kosovë.

Tali shtoi se disa analistë perëndimorë tashmë e shohin situatën si “gjendje lufte”, por jo me mjete tradicionale, por përmes operacioneve hibride, sulmeve kibernetike dhe tensioneve lokale.

Ai përmendi edhe Moldavinë, ku Rusia po intensifikon fushatën destabilizuese pas fitores pro-evropiane në zgjedhje. Ndërkohë, disa shtete perëndimore po përgatiten për skenarë emergjentë, si Franca me masat për spitalet.

Megjithatë, sipas Talit, institucionet e sigurisë së Kosovës dhe aleatët e saj janë vigjilentë, ndaj nuk ka arsye për panik — Vuçiçi, sipas tij, edhe këtë herë do të dështojë.

Pastaj i kemi edhe këto përgatitjet që shtetet Perëndimore po i bëjnë si me “Planin për furnizimin e mjaftueshëm të familjeve me gjëra emergjente për 72 orë”, apo me “përgtitjen e spitaleve” siç e bëri me 14 korrik, Ministria e Shëndetësisë e Francës, kur kërkoi që “spitalet të jenë të gatshme për një përfshirje ushtarake të madhe” ku mund të trajtohen një numër i madh i të plagosurve, deri në 50000, për një periudhë deri në 180 ditë.

Prandaj, në këtë atmosferë gjeopolitike të krijuar të shohim se Vuçiçi çka ka ndërmend dhe çfarë po përgatitë.