Deklarohen dy serbët e arrestuar në Gjakovë, ja çfarë i thanë Gjykatës për punët që bëjnë në Serbi

Katër të dyshuarit serbë me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., që u arrestuan gjatë kësaj fundjave në Gjakovë, e të cilët dyshohet se janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, do të vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e ndalimit deri në vendim të gjykatës, pas kërkesës së Prokurorisë.

Kështu ka bërë të ditur gjykatësi, Samedin Cena.

Në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, bazuar në kërkesën e Prokurorisë ndaj këtyre katër të arrestuarve, kanë nisur hetimet dhe ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.R., N.V., P.K., M.S., kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, me ç’ rast ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokurorja Venera Shala ka propozimi për caktimin e paraburgimit është bërë në bazë të arsyeve, derisa ka kërkuar nga gjyqtari të marrë parasysh kërkesën.

“Po ashtu kur kihet parasysh se të pandehurit kanë marrë pjesë në vizita në Manastiret Ortodokse, në mënyrë të organizuar ku do të mund të rrezikohej dhe jeta e pelegrinëve. Andaj, lënia e tyre në liri mund të përsëris veprën, mund të shkaktojë pasoja të rënda, andaj caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm. Prandaj, propozimi për caktimin e paraburgimit është bërë ne bazë të arsyeje. Prokurori i shtetit përmes kësaj kërkese gjithashtu njofton gjyqtarin e procedurës se është parashikuar që sa më parë të merren në pyetje të pandehurit dhe dëshmitarët, ku varësisht nga këto rezultate do të ndërmerren veprime tjera hetimore për këtë çështje penale. Propozoj gjyqtarit të procedurës paraprake që pas kësaj seance të pandehurve t’i caktojë masën e paraburgimit prej masës së një muaji”, tha ajo.

Në seancën përgatitore, i dyshuari Pavle Keagoviq deklaroi se punon si inspektor policie në Krajgujevc të Serbisë, ndërsa Milovan Steviq tha se është mjek stomatolog në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë, në Beograd.

Dy të tjerë janë identifikuar si teknik i komunikacionit dhe inxhinier i pylltarisë.

Derisa dy të dyshuar përmes avokatëve kanë ofruar mundësinë e dorëzanisë, njëri me shumë pesë mijë euro e tjetri dy mijë euro, mbrojtja gjithashtu ka kundërshtuar propozimin e prokurores që ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj katër të dyshuarve.

Shala: Serbët mund të arratisen

“Duke pas parasysh rrezikun potencial që të njëjtit të arratisën dhe t’i shmangen organeve të ndjekjes, pasi që rreziku i arratisjes duhet ndërlikur me faktin se të njëjtit janë shtetas të Republikës së Serbisë, mund të largohen nga Kosova dhe nuk mund të sigurohen nga organet, me çka do të pengohej zhvillimi normal i procedurës penale”, tha ajo.

Avokatët e mbrojtësve kanë deklaruar se mjetet mprehtëse të gjetura nuk përbëjnë vepra penale, raporton KosovaPress.

Përndryshe, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dje ka njoftuar se në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet tona të sigurisë më datë 05.04.2025 dhe 06.04.2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë.

“Struktura e të ndaluarve ishte e kombinuar, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë. Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe, si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës. Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe. Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, ka shkruar ai.

Xhelal Sveçla theksoi se hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe. Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira. Organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme. Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet tona të sigurisë”, ka shkruar ai.